Shfaqja ‘Budallenjtë’ thirrje për funksionalizimin e Teatrit të Kaçanikut

Komedia “Budallenjtë” me tekst të Neil Simon dhe me regji të Fitore Bilallit, shfaqet nesër, më 1 nëntor 2018 në ora 18:00 në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj“ në Kaçanik.

Kjo shfaqje e përgatitur nga një grup artistësh të rinj vjen edhe si një protestë ndaj vonesave për funksionalizimin e Teatrit të Qytetit të Kaçanikut.

Stafi i shfaqjes ka bërë të ditur përmes një thirrje publike, se me komedinë “Budallenjtë”, kanë vendosur që bashkë me publikun kaçanikas të protestojnë ndaj vonesës se funksionalizimit të Teatrit të Kaçanikut.

Ata kanë renditur edhe disa arsye lidhur me rëndësinë që ka për komunitetin artistik në Kaçanik funksionimi i një teatri profesionist.

“Duke shpresuar dhe besuar që edhe qyteti ynë do të bëhet shumë shpejtë me teatër, ne i kemi vënë vetës qëllim që ta gjallërojmë jetën kulturore në qytetin tonë, përmes kësaj shfaqjeje teatri, që publiku kaçanikas të mos harroj rrugën për në teatër por të vjen e të kënaqet me teatrin edhe para funksionalizimit  të tij”, thuhet ndër të tjerash në thirrjen e ekipit të shfaqjes ‘Budallenjtë” që është planifikuar të jepet nesër në Kaçanik.

Në shfaqje luajnë: Donald Bajramaliu, Faton Zharku, Leondra Luta, Enes Idrizi, Lirie Bela, Driton Zyberi, Rinor Kuqi dhe Erona Krasniqi.