Projekti ‘Perceptime’ prezantohet në Konferencën Ndërkombëtare të Muzeve

British Council ka prezantuar projektin “Perceptime” i cili u realizua në partneritet me pesë institucione kulturore rajonale, përfshirë edhe Kosovën në një nga konferencat më prestigjioze dhe të rëndësishme të muzeve në botë.

Këtë prezantim British Council (Këshilli Britanik) e bëri në kuadër të Konferencës së Përgjithshme të Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM- International Council of Museums), që u mbajt në Kyoto të Japonisë, nga 1 deri më 7 shtator 2019.

Kjo konferencë, e cila mbahet çdo tre vjet, është një mundësi unike për anëtarët e 141 vendeve të botës, për të shkëmbyer përvoja dhe plane bashkëpunimi për të ardhmen, dhe për të çuar më tej trashëgiminë e tyre kulturore në menaxhimin e muzeve.

Përmes një komunikate për media, British Council, bën të ditur se tema e konferencës së përgjithshme në Kyoto 2019, “Muzetë si qendra të kulturës: e ardhmja e traditës”, është një forum për të marrë në konsideratë se si muzetë mund dhe duhet të luajnë një rol kryesor në shoqëri, duke krijuar role të reja për muzetë që të pasurojnë të ardhmen, ndërsa përqafojnë të kaluarën.

Projekti i përbashkët “Perceptime” u zgjodh si një rast studimi dhe si një shembull i forcimit të pozitës së muzeve në ngritjen e çështjeve të rëndësishme shoqërore.

Sipas komunikatës, përmes shkëmbimit të veprave artistike nga koleksioni i British Council dhe institucioneve të kulturës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, institucionet pjesëmarrës tërhoqën vëmendjen për çështje të barazisë dhe përfaqësimit të grave në koleksionet permanente të muzeve, si dhe nxitën një diskutim më të gjerë për stereotipet gjinore dhe pozitën e grave në segmente të ndryshme të jetës.

Pjesë e prezantimit të projekti Perceptimet ishte Arta Agani, kuratore nga Kosova dhe drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Projekti “Perceptimet” përbëhej nga pesë ekspozita që u shfaqën në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe që përqendroheshin në punën e grave artiste.