Zbulimi i fëmijëve të Kosovës: Orë e mençur që mund të parandalojë rrëzimin e të moshuarve

Një shembull i jetës personale ka qenë motiv që Dior Shala, nxënës i klasës së shtatë, të mundohet të krijojë një orë të mençur që mund ta parandalojë rrëzimin dhe lëndimin e të moshuarve.

Ai për KALLXO.com ka rrëfyer se rrëzimi i shpeshtë i gjyshes së tij ka qenë frymëzim që të mundohet ta krijojë këtë orë së bashku me shokun e tij, Hedon Zeqaj.

“Qëllimi i projektit tonë është që të zvogëlohet sa më shumë rrëzimi i të moshuarve dhe të largohen lëndimet dhe vdekjet. Për këtë projekt fillimisht jam frymëzuar prej jetës personale, sepse gjyshja ime i ka 85 vjet dhe rrëzohet shumë shpesh. Kjo na ka ndihmuar me hulumtu dhe më bë përpjekje që me zvogëlu këtë problem”, ka treguar nxënësi i shkollës fillore “Emin Duraku” të Shtimes.

Dior Shala dhe Hedon Zeqaj, nxënës të shkollës fillore “Emin Duraku” Shtime.

Ndërsa, shoku i tij, Hedon Zeqaj, ka treguar se si funksionon ora e krijuar nga mikrobiti, që ka qenë në garën e “Shkollat e Shekullit 21” të organizuar nga British Council që synim ka pasur kodimin.

“Nëse rrëzohet një person i moshuar në orë shfaqet numërimi prej 5 sekondash dhe nëse shkon deri tek zero shfaqet ikona X dhe atëherë ndizet një alarm tek ora e kujdestarit të të moshuarit dhe dërgon një mesazh tek mikrobiti apo ora e kujdestarit dhe fillon alarmi”, ka sqaruar ai për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se nëse dëshiron kujdestari i të moshuarit ta parandalojë rrëzimin e ka një buton A në të cilën e mban shtypur dhe njoftohet për të.

“Kjo shërben si një sinjal se një i moshuar është rrëzuar apo është gati që të rrëzohet”, ka shtuar ai.

Të dy nxënësit kanë treguar se realizimi i këtij projekti u ka marrë kohë dy javë dhe se janë të kënaqur me rezultatin e arritur, por shtojnë se ora ka nevojë për përmirësime.

“Ora ka nevojë të avancohet, sidomos në sinjalizimin apo mikrobitin e kujdestarit, por me kaq mundësi sa kemi pasur e kemi realizuar këtë orë. Megjithatë në vazhdim do të mundohemi që ta bëjmë më të avancuar”, ka shtuar Dior Shala duke buzëqeshur.

Mësimdhënësi i tyre, Valon Mejzinolli, ka thënë se është i kënaqur me orën e krijuar nga dy nxënësit e tij.

“Ndihma ka qenë simbolike në aspektin e kodimit sepse e kanë koduar vetë projektin, mirëpo mbështetja ka qenë te disa përmirësime shumë të vogla që i kemi bërë në organizim dhe koha ka qenë e limituar”, ka shtuar ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, drejtori i British Council në Kosovë, Angus Bjarnason ka thënë për KALLXO.com se është i impresionuar nga projektet e nxënësve dhe idetë e tyre.

“Qëllimi i projektit “Shkollat e Shekullit 21” është që ne jemi duke tentuar t’i ndihmojmë nxënësit 11-15 vjeçar në Ballkanin Perëndimor të zhvillojnë aftësitë që janë shumë të rëndësishme për ta dhe të ardhmen, për aftësitë që do t’u duhen në të ardhmen kur të mbarojnë shkollën apo studimet, siç janë mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve”, ka thënë ai.

Drejtori i British Council në Kosovë, Angus Bjarnason

“Po ashtu jemi duke u munduar që zhvillojmë aftësitë e tyre në kodim, kështu që ajo çka po shohim sot është një garë e kodimit dhe nxënësit kanë prezantuar zgjidhje për një problem në komunitetin e tyre”, ka shtuar ai.

Sot, British Council në partneritet me MAShT-in, në kuadër të programit “Shkollat e shekullit 21”, ka organizuar sfidën e kodimit, ku kanë marrë pjesë 18 shkolla fillore të mesme të ulëta në Kosovë.

Nga 18 shkolla, tri janë zgjedhur fituese me projektet e tyre të kodimit, ku dy do ta përfaqësojnë Kosovën në garën rajonale për kodim.

Në këtë garë, Dior Shala dhe Hedon Zeqaj kanë marrë vendin e tretë për projektin e realizuar me orën e mençur.

Programi “Shkollat e shekullit 21” është një program edukativ, në vlerë prej 10 milionë funta, i cili është dizajnuar nga British Council dhe është financuar nga Qeveria e Britanisë.

Gara e kodimit nga British Council

.