British Council dhe Galeria Kombëtare organizojnë ekspozitën artistike 'Burrneshat'

British Council dhe Galeria Kombëtare e Kosovës do të hapin me 25 janar ekspozitën artistike “Perceptions: Burrneshat”, që do t’i  kushtohet diskutimit rreth rolit të grave në art dhe shoqëri si dhe përqendrimit në veprat e artisteve gra/vajza.

GKK përmes një komunikate për media njofton se kjo ekspozitë do të tentojë që të shfaqë dhe të manifestojë agjilitetin e grave artiste, edhe në Kosovë, ku ato kanë përparuar prej gruas së parë të diplomuar artiste në vitet 1970, deri te prezenca e gjerë e tyre në botën e artit dhe kulturës.

“Përpos manifestimit të arritjeve të grave artiste në Kosovë, programi do të theksojë si dhe të ngrisë pyetje rreth sfidave të tyre momentale: Pse ka ende aq shumë mospërputhje mes numrit të grave studente të artit, dhe numrit të artisteve të diplomuara aktive?”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në konceptin e ‘Burrneshave’, thuhet më tej në komunikatë, qëllimi është të manifestohet guximi i grave artiste, por edhe të rikujtohen përjetësimet e pabarazisë, siç është edhe mveshja e grave të suksesshme me atribute mashkullore.

Ekspozita është kuruar nga Arta Agani, dhe do të prezantojë vepra nga artiste të njohura britanike dhe kosovare në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 24 shkurt 2019.

Korniza e përgjithshme është iniciativa e British Council Perceptions, e cila kombinon vepra të artisteve eminente britanike nga koleksioni i British Council, me vepra të grave artiste lokale.

Pos Prishtinës, ‘Perceptions’ zhvillohet edhe në Cetinje, Novi Sad, Banja Luka dhe Shkup.

“Që të pesë ekspozitat konfrontojnë qasje të ndryshme artistike drejt ri-egzaminimit të rolit dhe statusit të grave përmes historisë dhe praktikave bashkëkohore të artit, kundër prapavijës së situatave komplekse shoqërore dhe historike në Ballkanin Perëndimor”, thuhet më tej në komunikatën e GKK-së për ekspozitën “Burrneshat”.

Me këtë projekt British Council poashtu shënon 80- vjetorin e koleksionit të tij.