PlayUK. Foto: British Council

British Council mban sesione digjitale online për video lojëra

Më 28 tetor 2020, British Council nis projektin kulturor dhe artistik “PlayUK”, i cili ka për qëllim promovimin dhe zhvillimin e shkathtësive të të rinjve në fushën e video lojërave, si një degë me shumë potencial rritjeje në fushën e artit.

British Council, përmes një komunikate për media njofton se edicioni i ri i “PlayUK” fillon më 28 tetor, me sesione digjitale online për të gjithë të interesuarit në industrinë e video lojërave.

Sipas komunikatës, “PlayUK” është një program digjital frymëzues nga British Council, i cili lidhë krijuesit që punojnë në industrinë e video lojërave në MB dhe Ballkanin Perëndimor.

Kësaj here, sipas British Council, edicioni i ardhshëm i “PlayUK” do të prezantojë një program ndryshe që favorizon mediumin online. Do të vazhdojmë me punëtori për zhvillimin profesional të mbajtura online çdo dy javë, të quajtura ‘sallone’.

“Në bisedë në sallonin tonë të parë do të na bashkohen kreatorët e lojës së re magjepsëse enigmatike  dhe aventuriere ‘I Am Dead’ nga krijuesit e ‘Hohokum’ dhe ‘Wilmot’s Warehouse’. Ricky Haggett, Catherine Johnson dhe Richard Hogg do të na shpjegojnë krijimin e ishullit misterioz të Shelmerston dhe banorëve të tij, duke reflektuar në të njëjtën kohë edhe për sfidat e krijimit dhe lancimit të një video loje në 2020. Me këtë rast, do të japim edhe detaje të tjera rreth programit të ardhshëm digjital dhe folësve që planifikojmë të ftojmë në sallonet e ditëve tona. Regjistrohuni për këtë ngjarje këtu! https://kosovo.britishcouncil.org/programmes/arts/playuk20-21/info/salon1”, thuhet më tej në komunikatë.

PlayUK. Foto: British Council

Sipas organizatorëve risit nuk do të mungojnë dhe “PlayUK” do të kulmojë në një ngjarje speciale në formë të ekspozitës online në pranverën e vitit 2021, ku do të prezantohen rezultatet e mentorimit, si dhe përmbajtje shtesë e video lojërave për një gamë të gjerë të entuziastëve të lojërave dhe artit digjital.

“PlayUK” është platformë e British Council që mbështet kreativitetin në artin digjital, duke ofruar qasje në shkathtësi dhe njohuri të reja dhe duke krijuar dhe forcuar ndërveprimin midis artit dhe teknologjisë.

Duke krijuar lidhje ndërmjet profesionistëve në disiplinat digjitale dhe artet nga MB-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, PlayUK eksploron temat si kodimi, hardueri, lojërat dhe performanca, teoria e lojërave, realiteti virtual, inteligjenca artificiale, realiteti i shtuar, animimi, mediat imersive, informatika kreative, dizajni narrativ dhe praktika të tjera digjitale në art, duke formuar një lidhje unike midis sektorëve kreativë dhe të teknologjisë.