Partia ia dikton Vlora Dumoshit zgjedhjen e stafit politik

Vlora Dumoshi është rizgjedhur në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe në Qeverinë e Abdullah Hotit, por, jo edhe stafi i kabinetit të saj nga Qeveria Kurti.

Aktualisht, stafi i Kabinetit të ministres Dumoshi numëron vetëm dy këshilltarë, ndërsa për zgjedhjen e pjesës tjetër të stafit politik, ministrja duhet të pres miratimin e Partisë nga e cila vjen, LDK-së.

Ministra Dumoshi ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se me të rimarrë detyrën është informuar se me kërkesë të partisë të gjitha kabinetet të jenë në zero, (pa stafe).

“Po tash qeveria e re sapo u formua, këto 10 ditë, dhe faktikisht më ka ardhur informimi nga Partia që të gjitha kabinetet të jenë në zero (pas staf), përveç ministrit dhe një asistent ose staf teknik. Momentalisht unë i kam dy këshilltarë. Ju e dini që LDK-ja e ka edhe pjesën e ekspertëve profesional dhe ekspertëve tjerë. Tash janë duke u hartuar listat dhe do të shpërndahen këshilltarët nëpër ministri”, ka thënë ajo.

Ky vendim i Partisë (LDK-së), sipas ministres Dumoshi, vjen edhe si kërkesë që stafet- këshilltarët të jenë më profesional dhe të fushës. Ajo ka pohuar se nuk është e lehtë gjetja e këshilltarëve për shkak të shumë kufizimeve që kanë pas zgjedhjes dhe pagës së vogël.

“P.sh., mua më duhet një këshilltar për trashëgimi kulturore dhe duhet më kanë në strukturat tona dhe në këshillin e ekspertëve të LDK-së dhe të shohim se a kanë mundësi për t`u angazhuar. Neve na duhen këshilltarë profesional dhe angazhimi i këshilltarëve është mjaftë e vështirë pasi ata pasi angazhohen përballen me shumë kufizime, dhe kanë pagë të vogël”, ka pohuar Dumoshi.

Ajo ka thënë se kompletimi i kabinetit të saj pritet në ditët e ardhshme, ndërsa ka shprehur dëshirë që ish- këshilltarët të rikthehen në stafin e saj.

“Unë kam pasur edhe ish-kabinetin i cili ka qenë një kabinet i shkëlqyeshëm, që ka operuar mjaft mirë, sidomos në kohë pandemie. Sa për informacionit tuaj gjatë kësaj kohe i kemi arritur rreth 118 marrëveshje, dhe kjo nuk ka qenë vetëm sukses imi por edhe i stafit tim, këshilltarëve, drejtorëve të departamenteve të ndryshme, andaj uroj që këshilltarët që i kam pas të kthehen në ministri sepse kemi pasur një harmoni fantastike”, ka thënë ministrja Dumoshi.