Abdixhiku: LDK ka dyfishuar përkrahjen, do të rritemi edhe më shumë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia të cilën ai e drejton e ka dyfishuar mbështetjen e megjithatë shtoi se nuk duhet të vetëkënaqen me këtë.

Abdixhiku, këtë deklaratë e bëri në Konventën Programore të LDK-së në Gjilan.

Ai tha se duhet të mësojnë nga gabimet e së shkuarës për një të ardhme më të mirë.

“Përkundër progresit të jashtëzakonshëm në këtë kohë të shkurtër them se dyfishimi jonë në mbështetje s’duhet të na mjaftojë. Ne duhet të përmirësohemi e rritemi edhe më tutje. Ne duhet të mësojmë nga gabimet e shkuara e të ndërtojmë të ardhmen që shtëpia jonë politike e vendi ynë e meriton”, ka thënë ai.

Tutje Abdixhiku u shpreh se strukturat dhe qytetarët po kërkojnë që LDK-ja të kthehet te qytetarët, derisa tha se pas Gjilanit do të vazhdojnë me takimet me qytetarë në gjithë Kosovën.

“Strukturat dhe qytetarët, kanë ngritur me të drejtë nevojën që LDK të kthehet në bazë, tek qytetarët. Qytetarët kanë kërkuar me të drejtë që shpërthimi i rritjes politike  të shndërrohet një mobilizim gjithë nacional. Në Gjilan, po fillon cikli i takimeve me njerëzit në të gjithë Kosovën – në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje”, theksoi ai. /Telegrafi