Në Rahovec mbahet festivali i muzikës për fëmijë

Të dielën, më 25 shtator 2022, në Rahovec do të mbahet edicioni i I-rë i festivalit mbarëkombëtar të këngës për fëmijë, “Kokrrat e rrushit këndojnë”.

Festivali do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës, “Mensur Zyberaj” duke filluar nga ora 14:00.

Naser Dula, themelues dhe drejtor i këtij festivali tha për KALLXO.com se festivali ofron mbështetje talenteve të rinj, por edhe promovon performancat të solistëve nga treva të ndryshme shqiptare.

“Ky festival ka për qëllim njohjen e vendeve të ndryshme me qytetin e rrushit në kohën e vjeljes së tij gjatë muajit shtator-tetor, kurse qëllimi kryesor është që fëmijët të njoftohen me pamjet të bukura natyrore të Rahovecit duke bërë një shëtitje ditore të shkurtë e deri tek performanca e tyre në skenë”-tha Dula.

Sipas tij, në këtë festival do të marrin pjesë 18 solistë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Festivali “Kokrrat e rrushit këndojnë” është përkrahur nga Komuna e Rahovecit.