Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Ministria e Kulturës planifikon 600 mijë euro për projektin e Operës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 600 mijë euro për këtë vit për ndërtimin e shtëpisë së Operës, “Dr. Ibrahim Rugova”. Sipas pasqyrave buxhetore të Ligjit për buxhetin për 2020, këto mjete janë bartur nga viti i kaluar.

MKRS, këtë vit planifikon të merret edhe me projektin për ndërtimin e Muzeut të Arteve Moderne. Për këtë projekt janë ndarë 200 mijë euro. Edhe këto të bartura nga viti i kaluar.

Përveç këtyre projekteve ministria planifikon edhe investime tjera kapitale në infrastrukturën kulturore dhe të trashëgimisë kulturore, ku pjesa dërmues e projekteve janë të bartura nga viti i kaluar.

Këtë vit MKRS do të ketë një buxhet prej 43,806,109.00 euro, afërisht 900 mijë euro më pak se vitin e kaluar. Për shpenzime kapitale janë ndarë 27,057,428.00 euro. Ndërkaq për subvencione dhe transfere janë ndarë 9,201,550.00 euro.

Buxheti për Kulturë këtë viti është 9,414,410.00 euro. Nga këto 3,200,000.00 euro shpenzime kapitale, ndërsa për subvencione dhe transfere janë ndarë 3,423,846.00 euro.

Për Trashëgiminë Kulturore janë ndarë 7,031,153.00 euro, ku 4,157,029.00 janë dedikuar për shpenzime kapitale, kurse 1,188,049.00 për subvencione dhe transfere.

MKRS për 2020 ka planifikuar të investojë në 22 projekte të ndryshme në infrastrukturën kulturore, ku ndër të tjerash ministria planifikon të investojë në renovimin e një sërë qendrash kulturore në komunat e Kosovës, apo renovimin e objektit të Teatrit Kombëtar, renovime në Bibliotekën Kombëtare, ‘Pjetër Bogdani”, etj.

Kurse, janë 70 asete të trashëgimisë kulturore për të cila ministria planifikon ndërhyrje për restaurim dhe konservim të tyre. Shumica janë të bartura nga viti i kaluar.