Krijimi i “Sunny Hill Academy” në Prishtinë ëndërr e Duas

Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Foundation kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e “Sunny Hill Academy” në Prishtinë.

Për këtë Sunny Hill Foundation i dha 150 mijë euro.

Në këtë shkollë do të ketë instrumente dhe gjëra të tjera që nevojiten për talentët e rinj në Kosovë, që të mund të ushtrojnë aty.

Dukagjin Lipa tha se ky investim do të shërbejë në krijimin e hapësirave, studiove ku do të ushtrojnë dhe zhvillohen talentët kosovarë, shkruan rtv21.tv.

“Jemi mbledh këtu për një ngjarje pak më tjetër se herën e kaluar. Qëllimi i fondacionit ka qenë të kemi një hapësirë që do të jetë në shërbim të të rinjve shqiptar, në mënyrë që ta kthejmë atë frymën artistike të cilën ndoshta fëmijët e Prishtinës dhe Kosovës e kërkojnë dhe dëshirojnë, ashtu siç e kemi pas ne ndoshta më përpara. Sot për në është një pres konferencë me domethënëse shumë të madhe”, tha ai.

Ndërsa, këngëtarja e njohur, Dua Lipa së pari i falënderoi të gjithë ata që e kanë përkrahur, duke thënë se e di që fëmijët nga Kosova janë të talentuar, të cilët tani do të kenë hapësirë që ta shprehin talentin e tyre.

Dua ndër të tjera ka thënë se ndihet shumë krenare për organizimin e festivalit pasi është një mundësi e madhe e promovimit të Kosovës dhe Prishtinës nëpër botë. 23 vjeçarja gjatë kësaj konference tha se ky projekt ka qenë ëndrra e saj.

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti falënderoi ata që po e promovojnë Prishtinën e veçanërisht Dua Lipën.

Festivali i madh “Sunny Hill Festival” pritet të fillojë sonte, për të vazhduar për 3 ditë radhazi./21Media