Pamje nga koncerti ‘Opera Night & dedikim për Nexhmije Pagarusha’. Foto: KALLXO.com

Kalendari kulturor Kosovë - Shqipëri, aktivitetet e përbashkëta për 2022-ën

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës javën që shkoi në Elbasan, prodhoi edhe një sërë marrëveshjesh kulturore në mes dy vendeve.

Përveç kalendarit të përbashkët kulturor, që u nënshkruar nga dy ministrat e Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Elva Margariti, u arritën edhe disa marrëveshje ndër institucionale kulturore.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka bërë ët ditur se kalendari i përbashkët kulturor parasheh edhe menaxhimin kulturor dhe shkëmbimin e artistëve në fushat e ndryshme kulturore dhe atë të trashëgimisë.

Shumë aktivitete të përbashkëta parashihen të mbahen gjatë vitit 2022, por edhe viteve në vazhdim nga institucionet kulturore të dy vendeve.

Bashkëpunimet bibliotekare dhe në balet

Në fushën e bibliotekave parashihet mbajtja Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë, një konferencë shkencore për Branko Merxhanin, 400–vjetorit të vdekjes së Pjetër Budit, e 50-vjetorit të vdekjes së Krist Malokut.

Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” ka thënë për KALLXO.com se midis BK-së, dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë parashihen bashkëpunim në shumë fusha, duke filluar nga ruajtja e materialeve bibliotekar, shkëmbim të informacioneve dhe ekspertëve.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, të dy bibliotekat kombëtare do të organizojnë një herë në dy vjet Konferencën Kombëtare të Bibliotekarisë”, ka thënë Gajraku.

Po ashtu sipas tij, dy bibliotekat do të bashkëpunojnë në organizimin e konferencave, seminareve e promovimin e botimeve.

Bashkëpunim do të ketë edhe në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Operës dhe Baletit të Shqipërisë.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar ka thënë për KALLXO.com se shfaqjet në kuadër këtij bashkëpunimi do të jepen në qershor të 2022.

“Në kuadër të marrëveshjes do te kemi bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë në muajin qershor respektivisht me 29 qershor, shfaqen ‘La Stravaganza’ (TKOB) & “Tanzminiaturen” (BKK), ndërsa më 30 qershor ‘Annociation’ (TKOB) & ‘Tangata’ (BKK)”, ka thënë Musolli.

Bashkëpunimet në trashëgiminë kulturore

Në fushën e muzeve parashihet realizimi i dy ekspozita në Muzeun Kombëtar të Kosovës, botimi i përbashkët i katalogut “Arkeologjia e Shqipërisë dhe e Kosovës” e aktivitete tjera bashkëpunim në mes të MKK-së dhe Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.

“Marrëveshja e lidhur në mes të MKK-së dhe MHK-së parasheh realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta për ngjarje, data e personalitete të historisë dhe kulturës sonë kombëtare, gjithashtu do të organizohen konferenca shkencore në fushën e muzeologjisë, të cilat do të ndikojnë në shkëmbimin e përvojës ndërmjet muzeologëve”, ka thënë për KALLXO.com, Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar.

Leci ka thënë se do të ketë botime studimore të përbashkëta me qëllim njohjen e ndërsjellët të historisë dhe kulturës së popullit shqiptar.

Ndërkaq, Enver Rexha, drejtor i Instituti Arkeologjik të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se do të ketë disa aktivitete në mes të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia.

“Do të ketë promovim të përbashkët të kulturës material, takimeve vjetor informues, hulumtime studimore të përbashkëta, shkëmbim ekspertësh”, ka thënë Rexha.

Ai ka thënë se marrëveshja në mes dy parqeve kombëtare do të jetë e vlefshme deri në 2025.

Bashkëpunime të përbashkëta parashihen edhe në fushën e filmit, në fushën e teatrit dhe në mes të ansambleve popullore.

Bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë përmes një kalendari të përbashkët kulturor ka filluar në vitin 2014.