‘Dokufest’ bëhet festival nominues për EFA 

Akademia Evropiane e Filmit  e ka përzgjedhur Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” si një ndër festivalet e filmit nominues për “Çmimet e Filmit Evropian” (European Film Awards- EFA).

Përmes një njoftimi për media, menaxhmenti i ‘DokuFest”-it ka bërë të ditur se ky festival është përzgjedhur për të bërë nominime në dy kategori të EFA-s, të filmit të shkurtër dhe filmit dokumentar.

Veton Nurkollari, drejtori artistik i “DokuFest”-it dhe anëtar i Akademisë, thotë se përzgjedhja për nominim është sukses tjetër i “DokuFest”-it, por edhe për skenën e filmit të Kosovës.

“Të bëhesh një festival nominues për EFA në dy kategori është një arritje e mrekullueshme dhe ne presim të kontribuojmë edhe më shumë në projektin madhështor të promovimit të kinemasë evropiane”, citohet të ketë thënë Nurkollari.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua në vitin 1989 si Shoqëria Evropiane e Kinemasë nga presidenti i parë Ingmar Bergman dhe 40 kineastë, me synim që të zhvillojnë interesat e industrisë evropiane të filmit.

Çdo vit aktivitetet e ndryshme të Akademisë Evropiane të Filmit kulmojnë me ceremoninë e “Çmimeve të Filmit Evropian”.

Çmimet e EFA jepen në 26 kategori. Edicioni i 35-të i ndarjes së çmimeve EFA për këtë vit do të mbahet më 10 dhjetor në Reykjavík.