“Artisti në thes të bërllokut”, grevë urie para Ministrisë së Kulturës (FOTO)

I mbështjell me thes të mbeturinave, kandidati për udhëheqës artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Sokol Plakolli po mban grevë urie para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai po kundërshton anulimin e konkursit për udhëheqës artistik të TKK-së.

“Greva duhet të vazhdoj për shkak se duhet me i vu nën trysni edhe duhet në një farë forme të trajtohet seriozisht kjo çështje. Duke mos reaguar ndaj këtij fenomeni, konkursi është shty që dy vjet, edhe që dy vjet Teatri është pa udhëheqës artistik dhe pa drejtor të përgjithshëm menaxherial”, tha Plakolli.

Pas ca çastesh, pranë grevistit është ulur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Çeku nuk pranoi të jap prononcim për KALLXO.com në lidhje me këtë çështje.

Plakolli tha se protesta e sotme, është vijimësi e asaj që kishte mbajtur në vitin 2017.

“Kjo grevë është e lidhur me grevën e artistit këmbëzbathur me gojë të lidhur me sy të mbyllur”, tha ai.

Ai tha se kjo grevë ka të bëjë me kauzën e mbrojtjes së Teatrit Kombëtar nga sllavizmi i cili po pretendon se anulimi i konkursit po ndodh në tentativë për akomodimin e një trupe të dytë paralele në TKK përmes një dokumenti formal me protokoll të falsifikuar.

Ai po konsideron se shtyrja, anulimi dhe pezullimi i konkursit ka lidhje me këtë çështje.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës në mars kishin anuluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në njoftimin e MKRS-së për anulimin e konkursit thuhej se për anulimin e proceduarve për rekrutimin e pozitës – drejtor artistik u vendos pas pranimit të ankesave dhe pakënaqësive të komunitetit artistik dhe me vlerësimin e bërë të proceduarës nga administrata e MKRS-së.

Kallxo.com, në vitin 2019 kishte raportuar për problemin që kishte lindur me emërtimin “drejtor artistik i TKK-së” pas miratimit të Rregullore (QRK) NR.15/2018 për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesëve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore.

Në Ligjin për teatrot dhe Statutin e TKK-së nuk ka pozitë të drejtorit artistik, por vetëm udhëheqës artistik.