Foto: Atdhe Mulla

KOSID, letër OPIC-ut për kundërshtimin ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”

Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovës (KOSID) në një letër të gjatë dërguar Korporatës së Investimeve Jashtë Shtetit (OPIC) me seli në ShBA i ka shpjeguar shkeljet e politikave dhe ligjeve të aplikueshme nga OPIC në rast se do të mbështetin Termocentrali “Kosova e Re”.

Kjo është letra e dytë që është dërguar tek OPIC nga ana e KOSID-it, në të cilën theksohet se përkrahja eventuale financiare për termocentralin do shkelte politikat e OPIC-un dhe ato të Korporatës Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit të SHBA-së (DFC) si dhe vete mandatin e Kongresit, siç përcaktohet në (1) Karta e OPIC-it; (3) Deklarata e Politikave Mjedisore dhe Sociale (ESPS), (4) Standardet e Performancës së IFC-së (PS), dhe (5) ligje të tjera të zbatueshme dhe korniza të politikave.

Në letrën e parë dërguar tek OPIC, KOSID i ka listuar të gjitha shkeljet e ligjeve të Kosovës dhe BE-së që janë bërë dhe pritet të bëhen në rast se jetësohet termocentrali Kosova e Re.

Qeveria e Kosovës dhe Contour Global janë në kërkim të alternativave për financimit e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, pas tërheqjes së Bankës Botërore nga ky projekt me arsyetimin se “termocentralin nuk është alternative më e lirë” për sigurimin e energjisë elektrike në Kosovë. Një prej alternativave për financim që është përmendur nga qeveria e Kosovës është edhe OPIC.

Foto: Atdhe Mulla

Por, KOSID në letrën e dytë thekson se mbështetja për termocentralin e qymyrit “Kosova e Re” do të ishte në kundërshtim me politikat OPIC-ut dhe DFC-së, të cilat nuk e favorizojnë thëngjillin dhe inkurajojnë mbështetjen e energjisë së ripërtritshme.

“Banka Botërore vendosi në mënyrë specifike të mos financojë termocentralin e qymyrit, për shkak të disponueshmërisë së alternativave të reja të ripërtëritshme që do të mund të zbatoheshin për këtë projekt. Financimi i një termocentrali të ri qymyri, pa vlerësimin fillestar të alternativave të ripërtritshme, do të ishte në kundërshtim me preferencën e hapur të Kongresit Amerikan për projektet e rinovueshme”, thuhet në letër. “OPIC ka zbatuar preferencën e Kongresit për burimet e ripërtëritshme duke mos financuar një projekt thëngjilli në më shumë se një dekadë dhe mbështetja e saj për energjinë e rinovueshme arriti në 750 milionë dollarë në 2018. Financimi i KRPP do të ishte një hap fatkeq në avancimin e kësaj direktive.”

Termocentrali i qymyrit nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm dhe do të impononte rreziqe substanciale makroekonomike dhe zhvillimore për vendin dhe qeverinë e Kosovës, shkruan tutje në letër.

Letra e KOSID po ashtu nxjerr në pah edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike me Termocentralin “Kosova e Re”.

“Rryma e prodhuar nga termocentrali i ri i qymyrit do të vazhdojë të jetë e shtrenjtë, me një kosto të “konsumit” prej 80 euro për megavat orë (MWh). Meqënëse termocentrali i ri do të ishte një shtim disproporcional i një sistemi relativisht të vogël të energjisë elektrike, kjo do të rris çmimin e përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë me të paktën 33.8% dhe deri në 50 %”, thuhet në letër.

Tutje, aty thuhet se OPIC-u nuk mund të mbështesë termocentralin e qymyrit nëse minierat e linjitit që furnizojnë termocentralin nuk janë në përputhje me politikat mjedisore dhe sociale të OPIC-ut.

“Për shkak se miniera e linjitit është brenda ‘zonës së ndikimit’ të KRPP, OPIC duhet t’i zbatojë politikat e saj në minierë dhe nuk mund të konsiderojë mbështetjen e termocentralit deri sa të vlerësohen plotësisht ndikimet e minierës”, thuhet në letër.

Ndërtimi i Termocentralit të ri do të zhvendosen pa dashje nga pronat e tyre mbi 7 mijë persona, e kjo sipas përshkrimit në letër, është në kundërshtim me politikat e OPIC-ut.

“Zhvendosja e pavullnetshme e shkaktuar nga termocentrali i ri dhe minierat shkelin politikat e OPIC-ut dhe IFC-së”, thuhet në letër.

Foto: Atdhe Mulla

Në letër thuhet se OPIC nuk mund të votojë për të mbështetur KRPP pa një vlerësim mjedisor, pasi OPIC ka detyrim statutor për të vlerësuar ndikimin mjedisor të çdo projekti që ndërmerr. Tutje KOSID thotë se studimet e kërkuara nga statutin e OPIC-ut si parakush për financim të një projekti nuk janë realizuar dhe publikuar në Kosovë e as në Amerikë.

“Asnjë nga këto parakushte nuk u përmbushën. Sipas njohurisë së KOSID-it, Komitetit të OPIC-ut nuk u është dorëzuar asnjë Vlerësim i Ndikimit Mjedisor dhe asgjë nuk është vënë në dispozicion të publikut, palëve të prekura në Kosovë apo organizatave joqeveritare kosovare. Bordi OPIC nuk mund të votojë për mbështetje për projektin derisa këto supozime ligjore të jenë përmbushur”, thuhet në letrën e KOSID-it.

Letra është dërguar te David Bohigian, ud. i Presidentit dhe Drejtor Ekzekutiv, Ryan Brennan, Zëvendës Kryetar, Zyra për Politika të Investimit, William Kennedy, Drejtor i Zyrës për Llogaridhënie në Korporatën për Investimeve Jashtë Shtetit (OPIC).

Letrën e plotë të KOSID drejtuar OPIC-ut që kundërshton mbështetjen për Termocentralin e ri mund ta gjeni KËTU.