Renovimi i ‘Soliterëve’ në Ulpianë pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2022

Në muajin mars të  këtij viti, Komuna e Prishtinës ka prezantuar planin për renovimin e ‘Soliterëve’ në lagjen ‘Ulpiana’.

Renovimi i ndërtesave ikonë të kësaj lagjeje është projekt i përbashkët i Komunës me Bankën Botërore dhe Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK).

Gjatë kohës kur u nënshkrua marrëveshja është deklaruar se punimet do nisin këtë vit, por deri tani nuk ka ende diçka konkrete në teren.

Rina Meta, nga Milllenium Kosovo për KALLXO.com ka thënë se, renovimi i pesë Soliterëve do financohet nga MFK 60 për qind, komuna 30 për qind dhe 10 për qind nga ndërmarrja publike banesore, 5 për qind prej tyre nga ana e banorëve.

“Renovimi i ‘Soliterave’ në Prishtinë do të financohet nga MFK 60%, komuna 30%, dhe 10% do të financohet nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) + banorët e ndërtesave (5%+5%). Mjetet e MFK janë ndarë në kuadër të Marrëveshjes së Pragut nga agjencioni federal amerikan Millennium Challenge Coorporation (MCC), kurse NPB në bashkëpunim me Shoqatën e Banorëve ka marrë përsipër menaxhimin, takimet dhe informimin e banorëve të këtyre objekteve”, ka thënë ajo.

Sipas Metës, për momentin është duke u punuar në zgjedhjen e dizajnit për fasadën, pasi komuna ka kërkuar kujdes të veçantë në fasadën që do përdoret, sepse duan të ruajnë identitetin e ndërtesave.

“Momentalisht, jemi në fazën e vlerësimit të dizajneve për fasadën e“Soliterëve”, kurse pas kësaj faze do të filloj procesi i tenderimit të kompanive ndërtimore. Për shkak të veçantisë arkitektonike të këtyre objekteve, Komuna e Prishtinës dhe MFK kanë kërkuar kujdes të veçantë në përzgjedhjen e fasadës dhe implementimin e fazave fillestare, për t’u siguruar ruajtja e identiteti vizuel të këtyre objekteve”, shtoi tutje Meta nga MFK.

Sipas saj, punimet përfshirë edhe instalimet solare pritet të përfundojnë në pranverën e vitit 2022.

Ndërsa, vendosja e njehsorëve është pjesë e Prishtina HeatSave me ndërmarrjen Termokos, dhe është ndaras prej projektit për renovim të soliterëve.

“Prishtina HeatSave ka për qëllim implementimin e projektit për instalimin e matësve, alokatorëve dhe valvulave termostatike për të gjithë konsumatorët e TERMOKOS. Ky intervenim bazohet në marrëveshje me këtë institucion dhe implementohet ndaras nga projekti ‘Soliterat në Ulpianë’ që implementohet nga SEEK”, thuhet tutje nga Meta.

Nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) për KALLXO.com kanë thënë se, deri tani kanë përfunduar analizat teknike, aspekti arkitektonik dhe krijimi i shoqatës së banorëve.

“Deri më tani janë përfunduar analizat teknike, analizat për ruajtjen e energjisë, aspekti arkitektonik, krijimi i shoqatave të banorëve dhe tani për tani ky projekt është në fazën e hartimit të paramasave dhe parallogarive”, thuhet në përgjigjen e NPB-së.

Tutje nga NPB potencohet se për procedurat e prokurimit përgjegjëse është MFK dhe se projekti pritet të fillojë në fillim të vitit 2022.

“Përgjegjëse për implementimin e procedurave të prokurimit për realizimin e punëve në Soliterë është Millennium Challenge Corporation dhe në bazë të informatave që kemi besojmë që ky projekt do të filloj realizimin në fillim të vitit 2022”, thekson NPB.

KALLXO.com ka kërkuar detaje edhe nga Drejtoria e Inspekcionit në komunë lidhur me mbindërtimet pa leje që janë bërë tek këto ndërtesa, por nuk është marr ndonjë përgjigje deri në momentin e publikimit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për gjendjen e rëndë të këtyre soliterëve.