Prishtina me dy kënde lodrash për fëmijët me nevoja të veçanta

Komuna e Prishtinës ka inauguruar dy kënde lodrash për fëmijët me nevoja të veçanta në lagjen ‘Ulpiana’.

Kënde të kësaj natyre janë të parat në kryeqytet. Projekti u implementua në bashkëpunim me YARL (Youth are the real leadres) dhe misionin e OSBE-së në Kosovë.

Drejtoresha e parqeve në komunë, Donika Çetta lidhur me këtë projekt deklaroi se shpreson që këndet do ofrojnë qasje të barabartë për fëmijë, derisa theksoi se kanë synim që të bëjnë hapësira të tilla rekreative në çdo lagje.

“Shpresojmë që lodrat e instaluara do të ofrojnë qasje të barabartë për fëmijët ndërsa synimi ynë është që në të ardhmen të kemi në çdo lagje hapësira rekreative të qasshme për të gjithë”- ka shkruar Çetta.

Derisa, kryetari i Prishtinës Përparim Rama është shprehur se qasja e barabartë për të gjithë qytetarët është prioritet i qeverisjes së tij.

Në muajin tetor të këtij viti Komuna e Prishtinës po ashtu ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Arsimit për mbulim të shpenzimeve të transportit shtëpi-shkollë/institucion parashkollor publik dhe anasjelltas për nxënësit/fëmijët me nevoja të veçanta.

Në vendimin e komunës theksohet se shuma e mjeteve financiare për subvencionim do jetë 60 euro në muaj për secilin nxënës.

Drejtoresha e Arsimit në Komunë, Besianë Musmurati më herët gjatë këtij viti ka bërë të ditur se në Prishtinë janë rreth 500 fëmijë me nevoja të veçanta.

Lidhur më këtë, në mars komuna shpalli po ashtu konkurs për 15 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta.

Kend i lodrave
Kend i lodrave
Kend i lodrave
Kend i lodrave