Projekti i parkut ne rrugen 'Sylejman Vokshi'

Projekti i komunës së Prishtinës për parkun në rrugën 'Sylejman Vokshi' në qendër - FOTO

Komuna e Prishtinës ka hartuar një projekt për ndërtim të një parku në qendër, përkatësisht në rrugën “Sylejman Vokshi”.

Sipas të dhënave, vlera e këtij projekti do jetë rreh 42 mijë euro, derisa pas fillimit të punimeve, projekti pritet të përfundojë brenda 90 ditëve.

Drejtoresha e Parqeve në Komunë, Donika Çetta për Kallxo.com bëri të ditur se për shkak të kushteve klimatike punimet janë shtyer për kohë të pacaktuar.

“Për shkak të kushteve klimatike punimet në Parkun rruga ‘Sylejman Vokshi’ shtyhen për një kohë të pacaktuar deri në përmirësimin e kushteve klimatike, ndërsa pas fillimit të punimeve ky projekt pritet të përfundojë brenda 90 ditëve kalendarike”- tha ajo.

Sipas Çettës, në këtë hapësirë kanë qenë dy hapësira të pa shfrytëzuara dhe kanë potencial për t’u bërë hapësira gjelbëruese dhe kënde lodrash.

“Në këtë lokacion kanë qenë dy hapësira të pashfrytëzuara të gjelbra në të cilat kemi parë potencialin për shndërrim në hapësira të gjelbra për socializim dhe kënde të lodrave për fëmijë. Në hapësirën e cila është paraparë për socializim i kemi ruajtur pemët e shëndosha ekzistuese dhe ato kanë qenë pikë orientuese për konceptimin dhe zhvillimin e projektit ideor”- shtoi ajo.

Rruga ‘Sylejman Vokshi’
Projekti i parkut ne rrugen ‘Sylejman Vokshi’

Tutje, drejtoresha e parqeve theksoi se zona për socializim ka rreth 606 m2 ku do të ketë shtigjet për ecje dhe shëtitje, ulëse që janë dizajnuar posaçërisht për këtë projekt, ndriçim të përshtatshëm, gjelbërim të lartë dhe të ulët dmth druje dhe shkurre, lule sezonale, etj.

Së bashku me drunjt ekzsitues parashihet që do të mbillen 35-40 trupa drunor dhe 40-50 shkurre.

Derisa, zona e lodrave të fëmijëve ka rreth 280 m2 dhe do të ketë 2 apo 3 lodra me dizajn bashkëkohor dhe të përshtatshëm për fëmijët e moshave 2-12 vjeç.

Në detaje tjera të këtij projekti po ashtu parashihet që kjo zonë gjithashtu të ketë shtigje dhe vendpushim për prindërit me fëmijë, një amfiteatër të vogël për fëmijët dhe të rinjtë për socializim në grup, ndriçim të përshtatshëm, rrethojë për siguri, gjelbërim të lartë dhe të ulët, drunjë, shkurre e lule sezonale.

Projekti i parkut ne rrugen ‘Sylejman Vokshi’
Projekti i parkut ne rrugen ‘Sylejman Vokshi’

Numri i drujve që do të mbillen në këtë zonë shkon nga 15-20 drunj dhe 25-30 shkurre.

Donika Cetta potencoi se konceptimi i këtij projekti është bërë duke pas në mendje gjithë përfshirjen e qytetarëve.

“Gjithsej hapësira që do të vihet në shfrytëzim të qytetarëve dhe do t’u kthehet atyre do të jetë:  900 m2 të cilat më parë nuk kanë qenë të shfrytëzueshme. Vlen të përmendet që konceptimi dhe projektimi i këtij projekti është bërë duke pas në mendje gjithpërfshirjen e të gjithë qytetarëve, qoftë fëmijë, prindër me fëmijë, të rinjë, qytetarë me aftësi të veçanta, pa dallim”- shtoi ajo.

Kjo drejtori aktualisht është duke kryer punimet në parkun tek ‘Lagjia e Spitali’ tek ish Luna Parku si dhe ka ndërtuar kënde të lodrave për fëmijë me nevoja të veçanta në lagjen ‘Ulpiana’.

Prishtina me dy kënde lodrash për fëmijët me nevoja të veçanta