PDK dhe LVV bëhen bashkë, të enjten pretendojnë ta anulojnë vendimin për këmbim të pronave në Badovc

Kuvendi Komunal në Prishtinë, të enjten pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës: Anulimin e vendimit për këmbimin e pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me ato tek lagjja ‘Prishtina e Re’.

Për thirrjen e kësaj seance janë bërë bashkë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri ka thënë se tashmë Gjykata Themelore në Prishtinë e ka pezulluar vendimin e mëparshëm për këmbimin e pronave në Badovc.

“Pasnesër përfundimisht do të bëjmë anulimin e këmbimeve të jashtëligjshme në Badovc të Kryetarit Përparim Rama. Interesi i publik i qytetarëve të Prishtinës do të triumfojë mbi interesin e pronarëve të tokave dhe lajres së borxheve biznesore”- është shprehur Retkoceri përmes një postimi në “Facebook“.

Lidhur më këtë KALLXO.com ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje nga kjo gjykatë.

Në dhjetor 2023, Kuvendi Komunal në Prishtinë mori vendim për këmbim të pronave në Badovc me prona në lagjen Prishtina e Re, proces ky që kishte nisur qysh në mandatin e dytë të ish kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Partneri qeverisës në kryeqytet PDK kishte bojkotuar këtë seancë, derisa LVV kishte siguruar kuorumin me prezencën e tyre në seancë.

Madje, PDK kishte lënë bashkëfajtor edhe LVV-në të cilët kishin bojkotuar shumë seanca, por jo edhe atë ku u diskutua për këmbim të kësaj prone.

Pas këtij bojkotimi nga PDK dhe daljes së tyre publikisht në mospërkrahje të këtij këmbimi, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama nisi shkarkimin e drejtorëve që vijnë nga radhët e kësaj partie. PDK po pretendon se kjo është hakmarrje pikërisht për pronat në Badovc.

Ndër të parët që u shkarkua nga Përparim Rama ishte tashmë drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, nën arsyetimin se nuk kishte menaxhaur si duhet situatën me mbeturina.

E për këtë vendim, Musliu përmes një videoje në rrjetin Facebook u shpreh i shokuar pasi, sipas tij, nuk ishte njoftuar paraprakisht, por vetëm përmes shkrimit në Facebook. Ai madje renditi edhe punët që kishte kryer për të menaxhuar gjendjen me mbeturina në kryeqytet.

Por Rama nuk u ndal me kaq. Të hënën, ai njoftoi se e ka shkarkuar edhe nënkryetaren e komunës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, nën arsyetimin se nuk kishte punuar mjaftushëm në digjitalizim, të cilin e kishte pasur si qëllim kryesor.

Sahatçiu ditë më parë akuzoi kryetarin Përparim Rama se kishte dhënë urdhër për nisje të procedurave për digjitalizim pa njohurinë e saj.

“Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit, me specifika e planifikim buxheti skandaloz”- kishte shkruar Sahatçiu.

Sahatçiu thotë se misioni vazhdon, teksa shton se “Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau”.

Zyrtarët e PDK-së në kryeqytet kanë potencuar se nuk pajtohen në asnjë mënyrë më këmbimin e pronave në Badovc me prona në lagjen Prishtina e Re.

Mirëpo, i pari i kryeqytetit ka deklaruar se ky proces ka nisur gjatë kohës së ish kryetarit, Shpend Ahmeti dhe se tash po akuzohet pa të drejtë.