Rikthimi i valles ‘Peshkatari‘ nga Ansambli ‘Shota’ - APK gjeti konflikt interesi

Vallja “Peshkatari” me koreografi të Haki Mulliqit është rikthyer në repertorin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, më se 21- vjet pas dhënies së saj premierë po në këtë ansambël, (“Vallja e Peshkatarit”, 2002)

Vallja është shfaqur para publikut gjatë koncertit të Ansamblit “Shota” e mbajtur më 18 dhjetor 2023,  në vigjilje të festës së viti të ri në Prishtinë. Rikthimit të kësaj valle në repertorin e “Shotës” i ka paraprirë një marrëveshje- kontratë e lidhur në mes të menaxhmentit të ansamblit dhe koreografit Mulliqi.

Kjo marrëveshje e lidhur në mes “Shotës” dhe Mulliqit po konsiderohet si konflikt interesi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit – APK (Agjencia Kundër Korrupsionit). Mulliqi në kohën e lidhjes së marrëveshjes për rikthimin e valles ishte anëtar i Këshillit Drejtues të AKKV “Shota”.

Sipas vendimit të APK-së, një kopje të së cilit e posedon KALLXO.com, kontrata e lidhur më 09.10.2023, në mes të menaxhmentit të “Shotës” dhe Mulliqit, bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. AKP kërkon anulimin e kontratës për vallen “Peshkatari”.

Koreografi Mulliqi, por edhe drejtues të “Shotës” janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni se rikthimi në skenë i kësaj shfaqje përbën konflikt interesi, pas që siç kanë thënë ata, rikthimi i saj në skenë nuk kishe implikime financiare.

Vendimi i APK-së për Vallen “Peshkatari”

Në vendimin e saj, lidhur me vallen “Peshkatari”,  APK konsideron se ekziston konflikt i interesit pasi Mulliqi në cilësinë e anëtarit të Këshillit Drejtues (KD) të AKKV “Shota” ka lidhur kontratë me institucionin ku ushtron detyrën publike si dhe ka marrë pjesë në vendimmarrje në konflikt të interesit, duke rënë ndesh me nenin 13 paragrafi 3, neni 17, paragrafi 1, lidhur më nenin 6 dhe nenin 3 paragrafi 1, nënparagrafi 1.2, 1.6 dhe 1.12, të ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

“APK kërkon nga drejtori i Ansamblit ‘Shota’, anulimin e kontratës nr. 168/2023 – datë 09.10.2023, e lidhur në kushtet e konfliktit të interesit dhe shlyerjen e pasojave eventuale të rrjedhura nga e njëjta, konform dispozitave përkatës të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”- thuhet në pikën 2 të vendimit.

Po sipas këtij vendimi APK do të iniciojë procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente për këtë rast.

Rikthimi falas i valles së 2002-tës

Koreografi Haki Mulliqi, anëtar i KD-së të AKKV “Shota”, ka thënë për KALLXO.com se rikthimi në skenë i valles “Peshkatari” (Vallja e peshkatarit) është bërë pa kompensim financiar. Sipas tij, rikthimi i valles është bërë me kërkesë të drejtorit të “Shotës”.

“Unë nuk kam realizuar shfaqje në Ansamblin “Shota”, unë vetëm kam ndihmuar në ri-inskenimin e një koreografie e cila ka qenë në repertorin e ansamblit”, ka thënë Mulliqi për KALLXO.com

“Konsideroj që konflikt interesi, si anëtar i KD të ansamblit ‘Shota’ do të ishte nëse do të realizoja ndonjë koreografi të re, nëse do kisha ndonjë lloj honorari, të çfarëdo natyre. Kjo thjesht ishte vetëm një ndihmë për ri-inskenim të një koreografie që veç ekziston dhe është e arkivuar në repertorin e ansamblit, thjeshtë ndihmë profesionale”- tha thënë ai.

Tutje Mulliqi ka thënë se “Kam qenë prezent në takimin e KD të Ansamblit “Shota” kur është propozuar nga drejtori dhe është aprovuar nga KD i ansamblit të ri-inskenohet dhe të kthehet në repertorin e ansamblit “Vallja e peshkatarit” (ne si KD vetëm aprovojmë ose jo propozimet e drejtorit), dhe këtë e kam dëshmuar edhe në APK”- ka thënë Mulliqi.

Ndërkaq, drejtori i AKKV “Shota” Mehmed Xhemajli ka thënë rikthimi i valles “Peshkatari” është bërë në kuadër të planeve të “Shotës” për të rikthyer të gjitha vallet në repertorin e ansamblit.

“Edhe ‘Vallja e Peshkatarit’ ka qenë pjese e repertorit të Ansamblit “Shota”, por është dashtë të hartohet kontrata në mënyrë që e njëjta të jetë aset i ansamblit pa ndonjë afat të caktuar”- ka thënë Xhemajli.

Ai ka thënë se për ri-inskenimin e valles nuk ka pasur implikime financiare dhe për këtë kanë menduar se nuk përbën konflikt interesi.

“Vlen të theksohet se në këtë valle nuk është bërë ndonjë risi, por vetëm është kujdesur për autotencitetin e veprës së tij që të mos bastardohet. Pasi që ka qenë një valle që është luajtur në vitin 2002 nuk e kam menduar se mund të jetë konflikt i interesit, aq më tepër që nuk ka pasur implikim financiar”- ka thënë Xhemajli.

Edhe kryetari i KD-së së AKKV “Shota”, Visar Munishi, ka thënë për KALLXO.com se KD-ja nuk e ka parë problem rikthimin e kësaj valle në repertor, pasi është punuar para më shumë se 20 viteve. “Ne në asnjë moment nuk e kemi parë problem rikthimin e saj dhe as që e kemi menduar se mund të ketë konflikt interesi. Çka e kishte forcuar bindjen tonë është se ky krijim nuk ka pasur asnjë implikim financiar të Ansamblit ‘Shota’”- ka thënë ai.

Vallja “Vallja e peshkatarit” kishte premierën në vitin 2002 në Ansamblin “Shota” dhe nga viti 2003 nuk ishte në repertorin e këtij ansambli.