Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sadri Rrmoku: Komunat nuk po arrijnë ta shpenzojnë buxhetin

Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, ka thënë se shumë komuna nuk po arrijnë ta shpenzojnë buxhetin pasi tek investimet kapitale hyn edhe huamarrja.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ tha se granti i performancës së komunave mund të jetë model për rajonin pasi ata nuk e kanë një të tillë.

“Granti i performancës është një proces i cili po implementohet dhe është proces që mund të jetë model në rajon pasi nuk e kanë një gjë të tillë. Ky grant është kthyer në një garë të punëve të mira mes komunave”, tha ai.

“Sa i përket shpenzimit të buxhetit, kemi parë se shumë komuna kanë probleme, e një prej problemeve është që në kuadër të investimeve kapitale po hyn edhe huamarrja”, ka thënë Rrmoku.

Sipas tij, komunat e mëdha kanë problem me këtë kriter për shpenzim të buxhetit edhe për shkak të procedurave të zgjatura të prokurimit.

“Komunat e mëdha si Prishtina dhe Prizreni kanë probleme pikërisht me këtë kriter pasi në njërën anë janë procedurat e stërzgjatura të prokurimit dhe në anën tjetër e dimë që mbledhja e të hyrave vetanake të komunave bëhet në tremujorin e fundit të vitit, pra kemi një shpërputhje”, shtoi tutje Rrmoku.

Rrmoku theksoi se procesi i performancës po na i vë përballë të metat dhe arritjet e komunave dhe ky grant, sipas tij, duhet të kthehet në pikën ku pasi identifikohen të metat e komunave, të intervenohet pikërisht në këto fusha.