Rrëfimi i familjes se si e humbi pronën në fajde – VIDEO

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar hulumtimin se si një familje në Pejë pretendon se e humbi pronën e tyre në fajde.

Naser Brdakiç pretendon se mori para me fajde nga zyrtari policor, Flamur Rexhaj.

Ai ka vendosur të flasë për fajdenë ekskluzivisht për “Kallxo Përnime”, vetëm pasi gjykata vendosi që t’i largojë nga shtëpia me anë të përmbarimit.

Brdakiç thotë se nga Kosova ka ikur para 10 viteve, pasi nuk ka mundur t’i përballoje problemet që i kanë ndodhur pasi ishte zhytur në fajde.

“Në Amerikë jam që gati 10 vite, kam ardhur këtu se më ka ndodhur shumë sende te këqija edhe kam pas probleme edhe kam vendos me ardhë ne Amerikë. Në Kosovë më ka ndodhë që kam marrë pare me fajde edhe me kanë dalë 100 probleme me ato fajde, paret i kam marrë prej Flamur Rexhës, i cili është polic në Pejë, ai u kanë shumë herë i suspenduar por u kthy prapë në Polici. Jo nuk është suspenduar për rastin e familjes sime, po për tjera sende”- thotë Brdakiç.

Brdakiç tregon edhe sa para ka marrë me fajde nga zyrtari policor dhe tregon për kamatat që ia ka paguar atij.

“Unë prej Flamur Rexhajt i kam marrë paret dhe e kam pasë kamatën 10% mujore sepse e kam pasë një objekt në Pejë dhe i kam dhanë sende veresi me pritje edhe kam mbetë pa pare t’u jep veresi dhe kam mendu që me vazhdu biznesin dhe kam marrë dy herë kah 40 mijë euro prej Flamur Rexhës me kamatë 10%. Këto pare si kam kthyer, kam dhënë kamatën çdo muaj dhe kur jam vonuar u dashtë edhe do pare me i shtuar. I kam dhanë kah 8 mijë euro mujore dhe kur jam vonuar dy, tri ditë, pesë ditë u dashtë me i shtu edhe 700 deri 1 mijë euro”- thekson ai.

Duke treguar edhe momentin se çka kishte ndodhur kur nuk kishte mundur t’i pagonte paratë, Brdakiç pretendon se nënshkrimi që shtëpia të hyjë në hipotekë për këtë borxh ishte dhënë nën presion.

“Kur nuk munda me i pagu këto parë kemi pas presion të madh nga ai edhe ka shku te shtëpia ime me disa persona dhe ma ka marrë shoqen dhe e ka dërguar në gjykatë me i nënshkruar veç ato letrat që i ka përgatitur ai për me nënshkruar objektin tonë në emrin e tij”- potencon Brdakiç.

Brdakiç pretendon se u rrah e u keqtrajtua pasi vendosi që rastin ta lajmërojë në Policinë e Kosovës. Ai pretendon se edhe pajisjet e hetimit të policisë iu kishin hequr nga trupi.

“Para se me ndodhë kjo e kam lajmëruar Policinë, ata ma kanë caktu kur me shku me u taku me atë dhe me m’i qitë do pajisje në trup për me incizua dhe ata m’i kanë vendos dhe atëherë Flamuri u lajmërua dhe më ka marrë prej objektit me 3 ose 4 persona, më ka marrë dhe më ka dërguar te ‘Bazeni’, ai e ka ditë që unë kam diçka nëpër trup dhe më ka zhveshur krejt dhe m’i ka hequr ato pajisje dhe më ka rrahë.”

“Në atë kohë më ka thanë se na e dimë krejt që je ti me ato pajisjet në trup dhe e ka lajmëruar dikush nga policia se askush tjetër s’e ka ditë veç unë dhe Policia. Dhe pasi më kanë rrahë, më kanë lanë aty dhe ata kanë shkuar. Pajisjet Flamuri i ka marrë me veti”- thotë Brdakiç.

I pyetur në lidhje me tërheqjen e deklaratës disa ditë pasi kishte treguar rreth fajdeve në Polici, Brdakiç theksoi se deklaratën e ka tërhequr nga frika.

“E kam edhe një rast një herë rreth orës 20:00 ka ardhë në zyrë tek unë dhe i kam pasë dy mysafirë aty dhe mos me qenë ata dy mysafirët aty, ai më kish mbytë aty sepse m’u ka vërsulë, por janë kanë dy persona aty që më kanë shpëtuar dhe ata mysafirët e kanë largu dhe mo jam frikësu shumë mos po i ndodh diçka familjes dhe nuk kam shkuar më në Polici.”

“Unë e kam pas tensionin e madh, presionin de jam kanë i detyruar me shku në Polici edhe me tërheq deklaratën”- potencon ai.

Brdakiç gjithashtu ka treguar pretendimin e tij se si u rrit borxhi i fajdesë dhe si u nënshkrua ai në kontratën e hipotekës së shtëpisë.

“Borxhi ka qenë dy herë ka 40 mijë euro, por ai e ka bo me kontratë që e ka nënshkru gruaja ime që ja kam marrë borxh pa kurrfarë interesi 165 mijë euro. Paret që i kam pagu fajde nuk janë llogarit hiç që 10 muaj i kam kthy dhe 4 a 5 herë kam pagu që jam vonu dy a tri ditë prej 700 deri 1 mijë euro me ja kthy Flamur Rexhës dhe me ia dërgu te shtëpia”- tha Brdakiç.

Familja Brdakiç ka akuza të rënda edhe për Gjykatën e Pejës. Ai thotë se ata asnjëherë nuk e kanë lajmëruar për ankandet e shtëpisë dhe se pasi askush nuk ishte paraqitur për ta blerë shtëpinë ajo kaloi në emër të Flamur Rexhajt për borxhin e nënshkruar në kontratë 165 mijë euro.

“Unë jam kanë në Gjyq për ato para dhe u kanË fjala për 80 mijë edhe ai ka shkuar 160 mijë edhe nuk e di komplet çka ka ndodh me atë proces se kam ra në depresion, kam përdorë hapa të qetësimit, as gruaja s’ka guxu me kallxu kurrë qysh e ka nënshkruar kontratën. Për përmbarime asnjë ftese nga gjykata nuk kemi marrë, as për ankande kurrë ftesë as asgjë prej gjykatës s’kemi marrë që ai po na e merr objektin”- theksoi Brdakiç.

“Ne kemi pritur që gjykata ka me na ndihmua pak jo një polic i cili duhet me na mbrojtë me na bo ashtu”-  thotë Brdakiç.

Në anën tjetër, zyrtari policor Flamur Rexhaj nuk kishte pranuar të takohet me hulumtuesit e emisionit “Kallxo Përnime”.

Ai për emisionin kishte kthyer një përgjigje me shkrim nëpërmjet avokates së tij, Aurora Mulhaxha.

Rexhaj ka dhanë versionin e tij për ngjarjen. Ai nuk është përgjigjur në pyetje se ku i mori paratë dhe pse i ka dhënë para hua Naser Brdakiç. Ai nuk ka ofruar përgjigje nëse ky ishte rast i fajdeve dhe nuk tregon as për akuzat për heqjen e përgjuesve.

“Fillimisht ju njoftoj se unë nuk jam pronar i kësaj prone dhe se ankuesit nuk kanë qenë pronarë asnjëherë përpos shfrytëzues të paluajtshëm pa u pengu nga askush. Ndihem i shokuar se si ka mundësi që pyetjet janë bërë duke i tejkaluar të drejtat mediale, dhe duke kalu në cilësinë e organit hetues.”

“Për të gjitha pyetjet e bëra, edhe pse nuk jeni kompetent të më procedoni, unë kam kalu ne procedura ligjore, gjyqësore për 15 vite. Konsideroje se unë jam i dëmtuar, pasi qe një procedurë e cila duhet të zgjatë 3 muaj ka zgjatë 15 vite.”

“Pasi që ankuesit, asnjëherë nuk janë  paraqitë, asnjëherë nuk e kanë respektu gjykatën për 15 vite, unë lidhur me këto çështje ju udhëzoj ti merrni nëpërmjet gjykatës, pasi qe unë asnjëherë nuk kam vepru vetëgjyqësi,  përpos nëpër rrugët gjyqësore që jam udhëzu nga personat kompetentë, në suaza ligjore ashtu siç i takon e drejta e çdo qytetari sipas Kushtetutës dhe Ligjit mbi marrëdhëniet e detyrimeve”- thuhet në përgjigjen e Flamur Rexhajt.

Për pretendimet e Naser Brdakiç se u mor me forcë dhe u dërgua në mal dhe se u kërcënua nga zyrtari policor, e po ashtu i njëjti i zbuloi masat e fshehta kemi kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës, por ata shkurt kanë treguar se nuk rezulton se nuk ka pasur rast të hapur për këto pretendime.

“Drejtoria e Standardeve Profesionale, tani Drejtoria për Hetime të Brendshme,  nuk ka zhvilluar ndonjë hetim disiplinore ndaj zyrtari policor Flamur Rexhaj  me ankues Naser Brdakiq dhe nuk ka pranuar ndonjë ankesë me emër të këtij ankuesi ndaj këtij zyrtari. Vëmendje: duke pasur parasysh vitin 2008, koha kur IPK-ja e ka pasur mandatin të hetojë shkeljet e rënda disiplinore,  nëse e vlerësoni mund t’i parashtroni kërkesë në IPK për të pasur informata më të plota”- thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Policia thotë se s’ka rast të hapur e Inspektorati Policor thotë se ka përpiluar një raport dhe se ka kryer hetime, por nuk jep me shumë detaje pasi raportin e përpiluar e ka dërguar në Prokurorinë e Pejës.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës, Departamenti i Hetimeve konkretisht Divizioni për Hetimin e Krimit te Organizuar dhe Korrupsion ka trajtuar ankesën  e familjes Brdakiq. Lidhur me këtë rast janë  ndërmarrë veprime paraprake hetimore në bazë të udhëzimit të Prokurorisë Themelore Pejë, ku pas përfundimit të këtyre veprimeve hetimore, hetuesit e IPK-së kanë përgatitur Raport informues dhe kanë  dorëzuar të njëjtin në Prokurorinë Themelore në Pejë. Për detaje shtesë ju lutem i referoheni Prokurorisë së Shtetit.”- thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi, nuk kishte pranuar të flasë para kamerës, por ka pranuar të takohet me hulumtuesit e emisionit për të na dhanë detaje se çka ka ndodhur me raportin e IPK-së të vitit 2021.

Ajo thekson se Rexhaj lidhur me veprat e atëhershme të fajdeve ka qenë i akuzuar qysh në vitin 2009, por që u lirua nga akuza në Gjjykatën e Pejës e po ashtu në Gjykatën e Apelit.

Prokurorja gjithashtu ka kthyer një përgjigje me shkrim.

“Si prokurore e cila ka pranuar ankesën e Dardan e Anela Brdakiç përmes IPK-së, pasi kam analizuar të gjeturat e hetuesve, kam ardhur në përfundim se duke pasur parasysh periudhën për të cilën pretendohet nga ankuesit se janë kryer veprat penale në fjalë, përveç se janë trajtuar nga ana e kësaj Prokurorie dhe është vendosur me një Aktgjykim të plotfuqishëm me të cilin i akuzuari atëherë Flamur Rexhaj, për vepër penale – Kontraktim i përfitimit joproporcional nga neni 270 të KPP i Kosovës –  është liruar,  rasti është mbyllur me Raport”- thuhet në përgjigjen e prokurores Gashi.

Prokuroria nuk ka arritur të bëjë asgjë në këtë rast. Në ndërkohë ekipi ka gjetur edhe disa elemente të tjera.

Prona ku zhvillonte biznesin familja Brdakiç ishte vendosur tri herë në ankand publik. Familja Brdakiç pretendon se nuk u njoftua nga gjykata lidhur me  procedurat e ankandit. Lidhur me këto pretendime hulumtuesit kishin tentuar të marrin një përgjigje nga gjykata, por nuk kanë pranuar asgjë deri në transmetimin e këtij hulumtimi.

Përfundimisht pas shumë proceseve gjyqësore penale e civile të cilat u nisën në vitin 2008, më datë 07.03.2024 Njësi speciale të Policisë e mbi 10 policë të rendit janë vënë në veprim për të siguruar që përmbaruesi Fatos Shatri i cili përmbaronte në llogari të policit Flamur Rexhajt, kanë nxjerrë nga lokali dhe prona familjen Brdakiç.