FOTO: MPJD

Pse u dështua të argumentohet që Banjska ishte sulm terrorist?

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur rreth sulmit të 24-shtatorit në Banjskë.

Ajo në një intervistë dhënë emisionit “Kallxo Përnime”, këtë e ka quajtur sulm paraushtarak.

“Kjo gjë është shumë e dukshme nuk ka nevojë për interpretimin e askujt për të ditur se farë ka ndodhur. I kemi të gjitha provat që ky sulm ka qenë paraushtarak. I ka edhe SHBA-ja, i ka BE-ja. Në biseda me kamera të mbyllura të gjithë na e konfirmojnë përgjegjësinë direkte të Serbisë në sulmin e 24-shtatorit. Ai është sulm ushtarak sepse ka pasur armatim për 400 persona” – tha Gërvalla.

Sipas saj, diplomacia kosovare ka vepruar për t’i bindur të gjithë që sulmi i 24-shtatorit të quhet terrorist.

“Të gjitha ambasadat e tona qysh ditën e nesërme, mbas 24 shtatorit me dokumente të përgatitura kanë kërkuar takime dhe në vazhdimësi deri në përfundimet preliminare që janë përafërsisht 54 faqe që janë shpërndarë në të gjitha kryeqytetet” – thotë Gërvalla.

Më tej, ajo ka shtuar se BE-ja i ka pasur të gjitha faktet për at se farë ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë.

“KFOR-i dhe EULEX-i kanë qenë në një koordinim të cilin e kanë konfirmuar edhe vet, pra nuk mund të akuzohet Qeveria e Kosovës pse BE, heziton të marr masa ndaj Serbisë” – shton tutje Gërvalla.

Ajo ka thënë tutje se të gjithë përfaqësuesit shtetëror e paraqesin sulmin e 24-shtatorit si terrorist.

“Nëse flasim për një dokument dhe injorojmë faktin që ka shumë ministra, kryetarë shtetesh që bëjnë pikërisht të kundërtën e asaj që shkruan në raport, atëherë pyetja do të duhet të ishte pse nuk ka unitet në BE, rreth një është që ka ndodhur” – thotë ajo.

Në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit u vra Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Konfiskimi i armëve të tjera vazhdoi edhe pas asaj dite.

Tre persona nga grupi terrorist u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Radoiçiq përmes një letre të cilën e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq, tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar.

Sulmin e 24-shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.