Ilustrim: Sulmet kibernetike - Foto: REL/Shutterstock

Sa kanë njohuri zyrtarët institucionalë për sigurinë kibernetike?

Kosova së fundi është përballur me sulme kibernetike nga Rusia. Trajtimi i këtyre sulmeve dhe sfidat e Kosovës ndaj sulmeve kibernetike është diskutuar në emisionin “Kallxo Përnime”.

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com tha se nuk ka hetime të cilat do të identifikonin personat të cilët janë duke i kryer këto sulme.

“Nuk kemi hetime me pa se kush janë këta njerëz, prej kahit po vijnë edhe me i gjet përfundimisht se kush janë përgjegjësit për këto” – ka thënë Gashi në emisionin KallxoPërnime.

Ai tutje shtoi se përderisa Kosova nuk ka kapacitete të mira për t’u mbrojtur nga këto sulme, nuk ka as kapacitete për t’i luftuar të njëjtat.

“S’ka kapacitet me e hetu e me gjetë përgjegjësin. Nëse jemi duke folur për hetime, ne mund ta dërgojmë këtë deri në INTERPOL, edhe me pas edhe persona të tillë të shpallur nga INTERPOL në kërkim për shkak se e kanë sulmuar Kosovën. Nga eksperienca ime personale, ka pak shumë pak hetime që janë zhvilluar ndaj atyre që kanë bërë sulme të tilla” – tha Gashi.

Gashi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë gjithashtu se zyrtarët e institucioneve të shtetit kanë probleme bazike për sa i përket njohurive për sulme kibernetike.

“Zyrtarët e institucioneve të shtetit se dinë se çka është siguria kibernetike e të dhënave që ata i mbrojnë. E pastaj krejt zinxhiri. Sistemi nuk është më i avancuari pra po tregohet se ka mundësi të ndërhyhet nga jashtë. Kemi institucione tjera që prodhojnë të dhëna sensitive, po ashtu kanë probleme sepse përdorin pajisje jo të pastërta e të cilat mund të krijojnë probleme e deri te ajo që ne e quajmë klasifikimin e materialeve e dokumenteve që prodhohen nga shteti” – tha tutje Gashi.

Hekuran Doli, ekspert i sigurisë kibernetike ka thënë se qytetarët e Kosovës mbesin ende pak të edukuar për sa i përket njohurive kibernetike.

“Nuk kanë njohuri rreth sulmeve kibernetike, mënyrave të sulmeve dhe si mbrohen në nivel personal individi ndaj një sulmi kibernetik. Këtë higjienë e përcjellë edhe në vendin e punës, e gjithkah. Në disa raste kam qenë dëshmitar në vlerësimin e sulmeve kibernetike dhe me aq sa kam vërejtur ka pasur një mungesë të theksuar të përgatitjes teknike edhe të gjyqësorit për sa i përket sulmeve kibernetike” – theksoi Doli.

Përderisa shtoi se zyrtarët e Policisë së Kosovës janë mirë të përgatitur për sa i përket sulmeve kibernetike.

“Departamenti për krime kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës ka qenë mjaft i përgatitur kemi bashkëpunuar në nivel kolegësh, por nga momenti kur lënda ka kalu nga policia në gjykatë aty ka pasur shumë vështirësi dhe ka pasur raste shumë që janë liruar kryesit e veprave penale që ne kemi vlerësuar që ata kanë qenë kryesit” – tha Doli.

Ai tha se kjo i ka demotivuar ata për të vazhduar në hulumtime dhe identifikim të rasteve të sulmeve kibernetike në Kosovë.

“Që një kohë ne as nuk i raportojmë këto raste që i identifikojmë brenda kompanisë tonë sepse e dijmë se veç humbim kohë” – tha tutje ai.