Palokaj: Nëse BE s'ka fuqi për të parandaluar shpërthimin e luftës në Kosovë, kjo flet për kredibilitetin e unionit në botë

Njohësi i dialogut Kosovë-Serbi, korrespodenti i Koha-s nga Brukseli, Augustin Palokaj duke folur rreth konfliktit në Gaza, e ka quajtur BE-në ‘union të pafuqishëm në skenën globale’.

Sipas tij kjo e ka bërë BE-në që të kuptojë se nëse dëshiron të jetë ‘lojëtar i fortë jashtë Evropës’, duhet t’i zgjidhë problemet brenda saj.

Sipas Palokajt, nëse BE-ja nuk ka fuqi për të parandaluar shpërthimin e luftës në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor, atëherë kjo flet edhe për kredibilitetin e unionit në botë.

Ai ka shtuar se fokusi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës është shumë i madh, dhe kjo sipas tij ka ardhur pas sulmit terrorist në Banjskë.

“Tashmë është një vetëdijesim më i madh se nuk është një spekulim që mund të thuhet se mund të shpërthej lufta në Kosovë, sepse armatimi që u pa në Banjskë, mënyra se si ata tentuan, mënyra se si ata talleshin me KFOR-in, dëshmon se rreziku ka qenë shumë i madh dhe mund të përsëritet. Prandaj kjo i ka zgjuar nga gjumi bashkësinë ndërkombëtare”, thotë Augustin Palokaj

Sipas tij krejt çka mungon në BE është një qëndrim i qartë ndaj Serbisë.

“Prandaj kur flasim se kush po bën hetime është më pak e rëndësishme se kujt do ti besohet, sepse hetime po bën edhe Serbia dhe nga BE-ja thonë se Serbia pritet të bashkëpunoj tërësisht në hetime, por nuk thonë se me kë duhet të bashkëpunoj”, thotë tutje Palokaj.

Palokaj ka shtuar se BE-ja pret që hetimet për sulmin terrorist në Banjskë të kryhen nga autoritetet kosovare dhe të dorëzohen ato në rrugë zyrtare.

“Thonë që nuk mund të marrin vendime mbi konferencat për shtyp të ministrit të punëve të Brendshme andaj presin hetime zyrtare dhe të dorëzohen ato nëpër rrugë zyrtare për të parë se çfarë ka ndodhur”, tha tutje ai.

“Për mendimin tim në aspektin politik do të ishte naivitet i madh sikur dikush vërtet beson se gjërat e tilla kanë mundur të ndodhin pa ndihmën e Beogradit, pa urdhra direkte apo së paku pa dijeninë e Beogradit”, thotë Palokaj.