Mësimi me praktikë në biznese, Gashi: Sezonin e kemi kaluar me praktikantë
“Jemi të gatshëm t’i ndajmë përvojat tona me nxënësit praktikantë” – tha Sadik Gashi, përfaqësues i biznesit ‘Holiday Resort’, në konferencën për mësimin dual.
Ai shtoi se si biznes e kanë pritur mirë iniciativën e Ministrisë së Arsimit.
“Unë vet kam qenë nxënës i shkollës ‘7 Shtatori’. E kemi përfunduar praktikën në ‘Grand Hotel’, ku kemi pasur një qasje shumë të mirë të praktikës. Jemi të kënaqur me mësimin dual sepse jemi të gatshëm për t’i ndarë përvojat tona me të rinjtë për të krijuar kuadro të reja në hoteleri” – tha Gashi.
Ai shtoi se profilet janë bërë në mënyrë shumë profesionale.
“Unë jam shumë i kënaqur me profilet që i kanë bërë, sepse janë shumë profesionale. Ne ua mbulojmë nxënësve transportin, shujtën edhe një pagesë prej 10 euro që është e caktuar. 8 orë e kanë dy ditë në javë. Ne sezonin e kemi kaluar me praktikantë, u kemi dhënë rrogën e rregullt dhe kanë punuar njësoj, 5 ditë nga 8 orë” – tha tutje Gashi.
Të pranishmit në këtë konferencë thanë gjithashtu se Fondacioni ‘Besa’ nga diaspora ka kontribuar shumë që të zyrtarizohet projekti i mësimit dual.
Ilir Seferi nga ky Fondacion tha se fillimi ka qenë skeptik nga shumica e akterëve, sepse shumica ia linin fajin ndërmarrësisë.
“Ne kemi nënshkruar kontrata bashkëpunimi me akterë të ndryshëm në mënyrë që t’i tregojmë se si funksionon mësimi dual dhe të gjithë pastaj janë zotuar se do ta praktikojnë sepse e kanë kuptuar që nxënësi nuk është barrë e biznesit por ky i fundit duhet të investojë në ta” – tha Seferi.
Ai ka treguar se në bashkëpunim me MAHTI-n ka dërguar nxënës nga Kosova në diasporë për të përfunduar praktikën.
“Më duket se vetëm dy nxënës janë në diasporë, të tjerët janë në Kosovë. Duhet të potencoj se gjatë këtij procesi ata edhe filluan të edukoheshin” – tha ndër tjerash Seferi.