Gashi: Grupi i Radoiçiqit i ka mbi 200 prona

Redaktori menaxhues në KALLXO.com, Kreshnik Gashi ka thënë se Millan Radoiçiq dhe grupi i tij ka pasuri të madhe.

Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se Radoiçiq dhe grupi i tij kanë mbi 200 prona.

“Na nuk mujna me paramendu sa pare i ka ky grup, sa ka ndikim në Kosovë, sa shumë ka njerëz që punojnë për të. Edhe hala punojnë. Janë bastisë 5 prona dhe mendoj që në ditët në vijim shteti i Kosovës e kallxon seriozitetin me këtë punë, nëse nis seriozisht me u marr me rrjedhën e pareve të Millan Radoiçiqit. Ska nevojë shumë me bo, në at hulumtim, nesër i bastisin 200 shtëpi”- ka thënë Gashi, të premten.

Ai gjithashtu tha se këtë pasuri Millan Radioçiq me grupin e tij e kanë bërë duke i marr mjetet që shteti serb i ka shpërndarë për qytetarët në veri por edhe ndihmat nga shteti i Kosovës.

“Serbëve në veri duhet me ju tregu dallimin ku kanë jetu ata dhe ku ka jetu Millani. Ky ka jetu me një shtëpi shumë të shtrenjtë e qytetarët në veri nuk i kanë as rrugët, as kanalizimin e as ndriçimin. Për shkak se Millani i ka marr paret e Serbisë të cilat kanë ardh për qytetarët serb të Kosovës dhe ja ka shtru rrugët vetit, ja ka ndërtu vilat vetes”, ka thënë Gashi.

Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor, dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ministri Xhelal Sveçla ka publikuar pamje nga villa dhe banesa luksoze të Radoiciqit që gjenden në afërsi të liqeni të Ujmanit. Prokuroria ka deklaruar se do të bëjë kërkesë për sekuestrim.

Operacioni i bastisjeve, Prokuroria e Policia tregojnë çka u sekuestrua në pronat e Radoiçiqit