Arben Zharku flet për pasurinë e tij
Ish- drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, tha gjatë intervistës në emisionin “Kallxo Përnime” që gjatë 20 viteve ka arritur të udhëtojë në gjithë botën.
Ai tha se është ftuar në festivale e juri të ndryshme ndërkombëtare.
Zharku tha se të gjitha pjesëmarrjet në festivale i ka të arsyetuara.
Gjatë intervistës ai thotë se të ardhurat vjetore i ka krijuar jo vetëm gjatë kohës sa ka drejtuar QKK-në por edhe si menaxher në Qendrën Multimediale dhe në festivalin “Skena Up”.
“Para nuk kam ba me filma, çdo herë kam punuar në punë të mira, në Qendrën Multimedia kam pasur rrogë shumë të mirë, por dhe në projekt tjera”, tha ai.
Ai ka thënë se ka një makinë BMW që kushton rreth 13-14 mijë euro dhe një banesë.
Ndërsa, arsyet e shkarkimit të tij nga QKK-ja i ka quajtur të pafaktuara.
Zharku thotë se nuk e ka lënë QKK-në në borxhe, por në obligime kontraktuale.
“QKK-ja nuk ka borxhe, por MKRS i ka borxhe QKK-së, buxhetin që ka deklaruar se do ta ndajë nuk e ka ndarë”, thotë Zharku.
Gjatë kësaj intervistë Zharku ka folur edhe për raportet me Këshillin Drejtues dhe akuzat për pjesëmarrje të paarsyetuara nëpër festival ndërkombëtare dhe për keqmenaxhim të QKK-së.