Amer Alija: Pengesa kryesore për mungesën e arrestimeve për krime lufte është edhe problemi politik mes Kosovës dhe Serbisë

Amer Alija, mbikëqyrës në projektin për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare ka thënë se duhet të formohen kuadro përcjellëse të Policisë për hetim të krimeve të luftës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se mungesa e arrestimeve të personave të përfshirë në krime gjatë luftës në Kosovë është edhe problemi politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka nevojë që të formohen edhe kuadro përcjellëse të policisë pasi prokuroria pa një ushtri prapa vetes, ekspertë të krimeve të luftës, nuk mund të kryejë punë. Duhet të përzgjidhen policë që e njohin gjuhën serbe, angleze”- tha ai.

“Pengesa kryesore për mosarrestime të personave të përfshirë në krime lufte është problemi politik mes Kosovës dhe Serbisë”- shtoi ai.

Sipas tij, Serbia ka marrëveshje me Kroacinë dhe Bosnjën për këto krime.

Alija tutje shtoi se aktakuza e parë e ngritur nga prokurorë vendorë ka qenë në vitin 2010 ndaj Sllobodan Martinoviqit.

“Prej kohës së EULEX-it, aktakuza e parë që është ngritur nga prokurorë vendorë ka qenë kundër Sllobodan Martinoviqit në vitin 2010, pastaj ka pasur edhe tjera. Prokurorët vendorë kanë ngritur 16 aktakuza kundër 17 personave”- shtoi tutje ai.

Sipas tij, rasti i grupit të Llapit, aktakzua e parë është ngritur në vitin 2003, derisa  aktgjykimi ka qenë në vitin 2015, pasi janë ndërruar prokurorë e misione ndërkombëtare.