Afrim Cakës i mbushen sytë lot kur kujton dhunimin e një gruaje nga forcat serbe në Gjakovë

Afrim Caka, një aktivist nga Gjakova, ka publikuar një libër në të cilin ka përfshirë qindra dëshmi e prova të krimeve të forcave serbe në qytetin e tij gjatë luftës së vitit 1999.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Caka ka treguar se do të publikojë edhe një libër tjetër, në të cilin do të sjellë rrëfime për dhunimin nga forcat serbe të grave shqiptare në Gjakovë.

Cakës i mbushen sytë me lot kur kujton që gjatë rrugës kishte dëgjuar britmat e një gruaje që po dhunohej nga paramilitarët serbë.

“Kur dola me rregullu kerrin e fqnijit tim që isha duke e bartur pas timit pash që në një shtëpi del një femër, emrin nuk po e them, e marrin dhe e shtinë brenda dhe një ulërimë e madhe ka shku. Ajo sot është gjallë, dëshminë e saj e kam por nuk ka dashur t’i publikohet. Shkuam në një shtëpi aty dhe ish kanë burri i vet aty. Ai kur ka hy policia e kanë qitë jashtë nga dhoma e pasme ka ikë, u fsheh. Brenda e ka lënë gruan, çikat nënën e djalin, ndërkohë policia e marrin me ia dhunu çikën, mandej gruaja thotë leje çikën vij unë. Pastaj gjatë rrëfimit të gruas ai burri që për mua është burrec i thoshte fjalë banale gruas së tij” – ka vazhduar ai me rrëfimin e tij.

Afrim Caka ka treguar se gjatë mbledhjes së dëshmive ka kuptuar se ka gra në Gjakovë që burri e ka lënë pasi e ka kuptuar që është dhunuar nga serbët.

Caka tashmë ka publikuar një libër voluminoz që u kushtohet krimeve të forcave serbe në Gjakovë.

Libri mban titullin “Ata u vranë – lanë pas vetes historinë”.