Pranvera Zejnullahu Raci
A është shkurtuar orari për rezonanca magnetike në Radiologji me qëllim që t’u krijohet më shumë profit privatëve?
Gjatë intervistës në emisionin “Kallxo Përnime”, drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, Pranvera Zejnullahu Raçi, e cila dha sot dorëheqje nga kjo pozitë, u përgjigj edhe për listat e gjata të pritjes që krijohen në SHSKUK përkundër faktit që para dy viteve situata kishte qenë e kundërt.
Ajo gjatë intervistës është pyetur edhe për çështjen e listës së pritjes për rezonancë magnetike, për të cilën edhe ajo e konfirmoi që detyrohen të presin deri më 2024.
“Për rezonancë magnetike saktë me muaj nuk e di, sepse ripërtërihet vazhdimisht, është e gjatë, është faktikisht mbi një vit” – është shprehur Zejnullahu-Raçi.
Ajo tutje ka thënë se deri më tani ka funksionuar vetëm njëra rezonancë, përderisa para një jave është lëshuar në funksion edhe e dyta.
“Ta them një diçka, para një jave është lëshuar në funksion e dyta rezonancë që ka qenë e prishur në Klinikën e Onkologjisë. Tash e kemi edhe një në Neurologji dhe jemi duke punuar me dy rezonanca” – ka shpjeguar ish-drejtoresha.
Zejnullahu-Raçi është pyetur se pse këto rezonanca nuk punojnë edhe pasdite e edhe gjatë vikendit, duke pasur parasysh që të njëjtat kanë punuar në orar të zgjatur para dy viteve.
“Kallxo Përnime” kërkoi përgjigje se a po bëhet shkurtimi i orarit me qëllim që të ju dërgohet punë rezonancave magnetike private, lobi i të cilave ka ndikuar në udhëheqjen e tanishme të Radiologjisë që të pakësojë punën në mënyrë që privatët të pasurohen.
“Orarin e bën klinika. Unë nuk mundem me e akuzu drejtpërdrejt askënd nëse nuk kam fakte. Ajo çfarë kam insistu, edhe dihet nga gjithë stafi, është rifkunksionalizimi i rezonancës” – tha ajo.
“Insistimi im ka qenë që të funksionalizohet edhe me ndërrim të natës për trombolizë fillimisht, nuk po flas për trobektominë se janë disa terma” – ka shtuar tutje,
Por, kur u pyet se a i bindet drejtoresha e Radiologjisë për të zgjatur orarin e rezonancës apo pasi i ka punët mirë me bordin e SHSKUK-së që e ka zgjedhur atë drejtoreshë prej të cilit nuk ka presion të zgjasë orarin e rezonancës, atëherë Zejnullahu-Raçi tha që edhe mund të ndodhë kështu por ajo tregoi se kërkesa e saj është aprovuar pjesërisht, duke treguar se orari është ndryshuar për tromoblizë.
“Kam kërkuar të ndryshohet orari që tekniku të jetë edhe gjatë natës në shërbim, do të thotë tromboliza të funksionojë 24 orë. Tromboliza funksionon, trobektomia jo” – ka thënë ajo.
Tutje ish-drejtoresha tregon se është interesuar të dijë edhe nëse ka persona që kanë punuar më herët për trobektominë, përderisa përgjigja që ka marrë është një kërkesë për t’i dërguar për këtë çështje jashtë vendit për trajnim dy persona, ndonëse ky shërbim është kryer më herët në QKUK.
“Kam pyet për trobektominë a ka dikush që ka punu më herët, ata kanë bërë si klinikë kërkesë për me i dërgu dy veta në trajnim jashtë vendit. Përgjigjja aktuale që nuk po kryhen” – ka thënë Zejnullahu-Raçi.
Ajo ka treguar se vetëm para një jave e ka kuptuar se tobektomina është kryer më herët në QKUK.
Në Klinikën e Radiologjisë para dy viteve është kryer operacioni i strokut, pra trajtimi emergjent i infarktit të freskët në tru, e tash nuk po kryhet. Gjithashtu pacientëve nuk janë duke u embolizuar aneorizmat (balonat që shpërthejnë në tru), operacion që është bërë më parë në SHSKUK por tash nga e njëjta klinikë po u nënshkruhen referimet jashtë vendit për trajtim. Si pasojë e kësaj pacientët detyrohen të paguajnë 25-50 mijë euro për këtë intervenim të bëhet jashtë shtetit për të cilat harxhohen ose buxhet nga shteti ose nga vetë pacientët. Në rastin më të keq, pacientët mbesin të paralizuar për një operacion që po bllokohet në Radiologji e nuk po bëhet përkundër faktit që është bërë para dy viteve.
KALLXO.com e shtroi problemin që kjo Klinikë nuk po i pranon materialet shpenzuese që përdoren për këto operacione, stentat aortale dhe periferike, materiale të cilat janë kontraktuar për operacione të cilat më nuk po bëhen në Radiologji.
Për të gjitha këto, Kallxo.com i ka dërguar 16 pyetje Shkendije Nuzës, shefes së Radiologjisë e cila ka kërkuar lejen e zyrës së informimit për t’u përgjigjur.
Shpend Fazliu, zyrtar për media i SHSKUK-së ka konfirmuar për KALLXO.com se zonja Nuza nuk ka kurrfarë pengese për t’u përgjigjur pyetjeve të KALLXO.com që kanë të bëjnë me Radiologjinë, dhe këtë ia kishte thënë edhe asaj, por zonja Nuza prapëseprapë nuk i ka dërguar përgjigjet deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Në emisionet e kaluara Shkendije Nuza është kritikuar që nuk i ka përmbushur kushtet për t’u bërë drejtoreshë e Radiologjisë për shkak se i mungon titulli akademik, kriter që kërkohet për këtë pozitë.
Agreta Gashi, që ishte edhe kryetare e bordit të SHSKUK-së edhe anëtare e komisionit për përzgjedhjen e zonjës Nuza drejtoreshë në mars të vitit 2022, është duke u hetuar për shkelje ligjore prej kundërkandidatëve që kanë bërë ankesë.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje zonjës Gashi se sa është ajo e kënaqur me sukseset që i ka arritur Radiologjia prej që ka përzgjedhur drejtoreshën e re, pasi që janë rritur për disafish listat e pritjes, por Gashi nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli për këtë dhe pyetje të tjera.
Në anën tjetër, për listat e pritjes Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur në një emision në televizionin ATV.
Ai ka thënë se beson që brenda një viti ose dy, listat e pritjes në disa prej klinikave nuk do të ekzistojnë fare.
“Në disa klinika ajo edhe mund të ndodhë që mund të ekzistojë sepse janë në çdo vend të botës” – ka thënë ai.
Tutje ai është pyetur edhe pse janë këto lista, e përgjigja e tij ka qenë se pandemia i ka shpërfaqur të gjitha problemet 20-vjeçare, të cilat sipas tij kanë ndodhur në shëndetësi.
“Tani nuk kemi më arsyetim, tani duhet të veprojmë. Një nga shqetësimet kryesore të kësaj qeverie janë këto lista të pritjes” – ka thënë Vitia.
Ai tutje ka treguar se pas marrjes së mandatit, për të tretën herë, vizita e parë që kam bërë, pas asaj në Gjinekologji në natën e ndërrimit të moteve, ka qenë në Kardiologji ku edhe aty është një masë e madhe e listës së pritjes.