Foto: QKUK/Facebook
Kirurgu i SHSKUK-së Kavaja me vetëm nëntë operacione gjatë një viti
Numri i operacioneve që kryejnë kirurgët brenda klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe jo vetëm, është një temë që vazhdimisht përflitet nga publiku.
Kjo çështje është diskutuar me Pranvera Zejnullahu-Raçin në emisionin “Kallxo Përnime”.
Ajo deri më sot ka mbajtur pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës. Sot ka dhënë dorëheqje.
Zejnullahu-Raçi kishte kërkuar që në shtator 2022 të merrte të dhëna se sa operacione kryejnë secili mjek në SHSKUK dhe disa klinika i kishin dërguar e disa jo.
Zejnullahu-Raçi specifikisht është pyetur për kirurgun Floren Kavaja, i cili është pronar i spitalit privat “Kavaja”, ku kryhen me qindra operacione e i cili si kirurg në SHSKUK, gjatë vitit 2022 kishte kryer vetëm 9 operacione.
Floren Kavaja tha për KALLXO.com se që nga 15 shkurti ka marrë pushim pa pagesë për një vit për trajnim për edukim të vazhdueshëm profesional, të cilin e ka kryer në Turqi dhe pastaj ka qenë në pushim shëndetësor për shkak të problemeve me qafë.
KALLXO.com ka pyetur kirurgun në fjalë se sa operacione i ka bërë gjatë vitit 2022 në klinikën e tij private, mirëpo Kavaja nuk dha ndonjë shifër duke thënë se nuk ka bërë shumë sepse ka qenë në trajnim jashtë vendit.
Ai po ashtu tha se nuk mund të gjendet as një i vetmi pacient të cilin ai e ka trajtuar në sistem publik, e i cili pastaj është inkurajuar apo ka ardhur për t’u operuar në spitalin e tij privat.
Kur u pyet se pse punon edhe në sektorin privat e edhe në atë publik, ai tha sepse e ndien obligim ta japë kontributin e tij profesional edhe në sistem publik në orarin e punës deri në ora 16:00.
Për rastin e Kavajës në dijeni është edhe ish-drejtoresha e SHSKUK-së, e cila ka thënë se ka pranuar një dokumentacion se i njëjti ishte duke kryer trajnim në Turqi.
“Me sa e di doktor Kavaja një kohë nuk ka qenë në klinikë, ka qenë në pushim pa pagesë dhe jashtë vendit. Së fundi e ka pru një dokumentacion që ka me shku në trajnim në Turqi” – ka thënë Pranvera Zejnullahu-Raçi.
Por, Zejnullahu-Raçi e paraqiti anën tjetër të errët të këtij problemi, që mjekët e rinj me qëllim sabotohen nga mjekët e vjetër të cilët i monopolizojnë gjithë pacientët dhe i kryejnë vetë operacionet duke mos u dhënë mundësi doktorëve të rinj të kryejnë operacione apo nuk u japin shans atyre që nuk u vardisen mjaftueshëm.
“Kur e kemi marrë numrin e operacioneve, në klinikën tonë (në gjinekologji) ka qenë për shembull një kohë që (vetëm) njerëzit e favorizuar lejoheshin të bënin operacione. Unë nuk i paragjykoj disa kolegë, (që duan të bëjnë) më shumë numër, më shumë emër, po nuk mundemi me i paragjyku (ata që kanë pak operacione me numër)” – thotë ajo.
Ajo tregon se ka raste kur kirurgë të caktuar që nuk e kanë pasur mirë me shefin e kanë folur shumë drejtpërdrejtë në mbledhje të mëngjesit, atëherë ata janë penalizuar duke mos u dhënë mundësi që tërë javën t’u jepet ndonjë operacion për të bërë.