Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Pronarja e ordinancës private ku kishte punuar Aida Namani, kryetarja e bordit të SHSKUK-së, zgjidhet stomatologe në Stomatologji
Janë disa drejtorë të klinikave e të spitaleve që u ndërruan gjatë vitit 2022, e procesi i emërimit të të cilëve po hetohet pas akuzave që u bënë se drejtorët u zgjodhën pa u plotësuar kriteret e nevojshme.
Drejtorët që u zgjodhën në vitin 2022 nga anëtarët e bordit të SHSKUK-së dhe përzgjedhja e të cilëve u kontestua sepse u mungonin titujt akademikë dhe për arsye të tjera, ishin drejtorët e Onkologjisë, Radiologjisë, Gjinekologjisë, Torakales, Stomatologjisë dhe Internos.
Tash, pasi u bënë 6-12 muaj prej zgjedhjes së tyre, ish-udhëheqësja e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, u pyet për performancën e tyre.
Një prej drejtorëve të kontestuar ishte Kastriot Meqa, drejtor i Stomatologjisë në SHSKUK, për të cilin Zejnullahu-Raçi ka thënë se edhe Stomatologjia është në kuadër të SHSKUK, është e ndarë njëjtë si QKUK.
“Performanca brenda Stomatologjisë është në kuadër të SHSKUK-së, por është faktikisht si QKUK-ja e ndarë dhe nuk kam pasur kohë për katër muaj e gjysmë (të merrem me Stomatologji), që të bëhem e sinqertë” – ka thënë ajo.
Mirëpo, KALLXO.com ka zbuluar se së fundmi është bërë një punësim i ri në Stomatologji.
Punëtorja e re, Vjosa Hamiti-Krasniqi, e pranuar në Stomatologji para disa muajve është pronare e ordinancës private të stomatologjisë ku ka punuar kryetarja e bordit të SHSKUK-së, Aida Namani.
KALLXO.com e shtroi pyetjen se a është kthim favori fakti që Namani e ka përzgjedhur Meqën drejtor, e Meqa ia ka përzgjedhur Vjosa Hamiti-Krasniqin, kolegen e Namanit stomatologe që punësohet për herë të parë në SHSKUK me 51-vjeçe, gjë që nuk ka ndodhur më parë në Stomatologji.
Vjosa Hamiti-Krasniqi, e sapopunësuar në Stomatologji, ishte edhe asambliste e LVV-së në Komunën e Prishtinës, e renditur e treta me radhë në listën e LVV-së, pas Shpend Ahmetit dhe Arben Vitisë, në zgjedhjet lokale të para 5 viteve.
Pranvera Zejnullahu-Raçi, e cila foli vazhdimisht për diskriminimin që po pësojnë specializantët në sistemin shëndetësor të Kosovës të cilëve nuk po i mundësohet të bëjnë mjaftueshëm operacione dhe përvojë pune në SHSKUK, e potencoi që nuk do duhej të fillohej karriera në SHSKUK në moshën 51-vjeçare.
“Në Qendrën Klinike Universitare nuk duhet me u punësu për herën e parë, pa hatërmbetje, dikush që i ka mbi 50 vjeç. Mundet me u punësu dikush që i ka mbi 50 vite nëse është ekspert i fushës, atëherë po edhe 70 vjet” – ka thënë Zejnullahu-Raçi.
KALLXO.com ka kontaktuar me Kastriot Meqën, drejtor i Stomatologjisë në SHSKUK, lidhur me këtë çështje.
Ai e ka pranuar që është jashtë praktikës që të punësohet dikush në këtë moshë dhe ai do të dëshironte të ishte dikush më i ri por theksoi se atë e kanë zgjedhur anëtarët e komisionit, e jo ai vetë.
Por drejtori i Klinikës kuptohet që ka ndikim në atë se kush e përbën komisionin përzgjedhës.
“Vjosa Hamiti Krasniqi ka hy në punë në moshën 51-vjeçare në SHSKUK sepse në UP ka limite të moshës por jo në SHSKUK. Ajo është vlerësuar si më e mira për atë pozitë nga komisioni për pranimin e stomatologëve i cili është përbërë prej Teuta Kutllovcit, Arjeta Gashit, Bylbyl Reçicës dhe Feriad Perjucit” – ka thënë Meqa.
Ai nuk u pajtua me akuzat se punësimi i Vjosa Hamiti-Krasniqit, pronare e stomatologjisë ku ka punuar Aida Namani-Rexhepi, kryetarja e bordit të SHSKUK-së, është kthim i favorit pas punësimit të tij si drejtor i Stomatologjisë në SHSKUK në vitin 2022.
Lidhur me 98 pikë që Meqa i ka arritur në testin e pranimit për drejtor, për të cilën kundërkandidatët e akuzuan se i ka arritur duke e marrë testin përpara prej anëtarëve të bordit të cilët i ka miq, Meqa tha që s’është e vërtetë.
Pikët maksimale nuk i ka shënuar vetëm ai por edhe të tjerët, tha ai, dhe këtë rezultat e ka arritur sepse është përgatitur.
Në anën tjetër, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Bylbyl Reçicën, i cili ka qenë anëtarë i komisionit për pranimin në punë të Vjosa Hamiti-Krasniqit si stomatologe.
Kjo e fundit është shoqe e motrës së Reçicës, Jehona Reçicës. Por, sipas Bylbyl Reçicës, në punësimin e Krasniqit nuk ka luajtur rol fakti që motra e tij dhe ajo janë shoqe.
Ai ka thënë se kriteri i përvojës së punës është kriter që Hamiti-Krasniqi e ka përmbushur më shumë se aplikuesit e tjerë.
Kallxo.com i ka dërguar pyetje edhe Aida Namani-Rexhepit për ta pyetur se a ka ndikuar që në kohën që ajo udhëheq me SHSKUK të punësohet pronarja e ordinancës private të stomatologjisë ku Namani-Rexhepi kishte punuar para se të hynte në bord të SHSKUK-së. Pra Namani-Rexhepi, në krye të SHSKUK-së ka pasur përfitim direkt financiar nga Vjosa Hamiti-Krasniqi, e sapopunësuara në Stomatologji.
Namani-Rexhepi as nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar që ka ndikuar në këtë proces deri në momentin e këtij publikimi.
Mes tjerash, KALLXO.com i ka dërguar pyetje bordit të SHSKUK-së për inicimin e rasteve në prokurori lidhur me përzgjedhjen e drejtorëve më 2022 dhe ka pyetur a janë marrë në pyetje.
Elementi tjetër kontestues i përzgjedhjes së drejtorëve më 2022 ishte fakti që Agreta Gashi kishte qenë edhe në krye të bordit të SHSKUK-së e edhe vetë kishte marrë pjesë në komisione për përzgjedhjen e drejtorëve të SHSKUK-së, përfshirë edhe Shkendije Nuzën e Radiologjisë dhe Kastriot Meqën të Stomatologjisë. Gashi nuk e ka mohuar e as pohuar që është duke u hetuar nga prokuroria për këtë shkelje ligjore.