Ilustrim

Zejnullahu-Raçi: Në dy vitet e fundit nuk ka pasur vlerësim të drejtorëve të klinikave

Pranvera Zejnullahu-Raçi, tashmë ish-drejtoreshë e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, e cila sot dha dorëheqje pas gati 6 muaj në këtë pozitë, është e ftuar në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”.

Zejnullahu-Raçi këtë pozitë e ka ushtruar që nga gushti i vitit të kaluar, përderisa e njëjta ka treguar se nuk ka gjetur kurrfarë vlerësimi të drejtorëve të klinikave të SHSKUK-së të jenë bërë në dy vitet e fundit.

Nën menaxhimin e SHSKUK-së janë Qendra Klinike Universitare të Kosovës, spitalet rajonale e edhe qendrat e shëndetit mendor.

Arsyeja se pse Zejnullahu-Raçi nuk e ka bërë këtë vit vlerësimin e punëtorëve është pasi nuk ka shumë kohë prej kur ajo ka marrë pozitën që e ka ushtruar deri më sot.

“Pse unë nuk e kam bërë vlerësimin përnjëherë ka qenë periudha shumë e shkurtë që unë kam bashkëpunuar me shumicën prej drejtorëve edhe është koha shumë e shkurtë që kemi kaluar me të” – ka thënë ajo.

Tutje Zejnullahu-Raçi ka treguar se vlerësime të tilla nuk janë bërë as në dy vitet e kaluara.

“Jo, nuk e kam bërë këtë fundvit. Mua më kanë thënë se në vitet e fundit nuk është bërë vlerësimmi. Me sa e di më është thënë që dy vitet e kaluara nuk janë bërë fare vlerësime” –  është shprehur ajo.

Zejnullahu-Raçi sot e ka konfirmuar për KALLXO.com se është dorëhequr nga pozita e saj. Arsyeja e dorëheqjes, sipas Kallxo.com, është mospërkrahja nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për reformat që ka filluar ajo brenda SHSKUK-së.