Rasti i fetusit që u fut në rrobalarëse në Spitalin e Pejës, pse mori vërejtje ish-drejtoresha e SHSKUK-së?

Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar në Spitalin e Pejës.

Një fetus dyshohet të jetë futur në rrobalarëse, e për këtë rast janë duke u kryer hetime edhe nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Pejës.

Rasti në fjalë kishte bërë që ish-drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, t’i dërgohet një vërejtje nga ana e bordit të këtij Shërbimi.

Zejnullahu-Raçi ishte kritikuar se nuk kishte njoftuar me kohë lidhur me rastin, e për këtë ajo në një intervistë në “Kallxo Përnime” e ka dhënë një arsye.

“Brenda ditës i marr 100 e-maile edhe kam qenë e informuar dhe në momentin që Spitali i Pejës ka qenë në bashkëpunim me Policinë dhe me Prokurorinë, shpeshherë nuk dalim me informata pa u kryer procesi a ka pasur ndonjë dyshim për vepër penale apo jo” – ka thënë ajo.

Tutje Zejnullahu-Raçi ka shtuar se nuk i kujtohet se pas sa ditëve saktë pasi që ka ndodhur ngjarja e ka njoftuar rastin në bord të SHSKUK-së.

“Bordi nëse është dashtë në kohë reale me i lajmëru, unë kam edhe shumë probleme të tjera. Nuk më kujtohet saktë sa ditë pas i kam njoftuar” – shprehet ajo.

Ajo ka folur edhe për shkarkimet që janë bërë për këtë ngjarje, duke shtuar se është rast shumë i rëndë.

“Komplet janë hjekë, shefi i Gjinekologjisë që ka qenë brenda repartit, drejtori mjekësor edhe janë hjekë shtatë persona që kanë qenë në vijë të përgjegjësisë” – ka thënë ajo.

E njëjta është pyetur nëse është larguar edhe mjeku që ka kryer operacionin, por ajo pas kësaj pyetjeje ka vendosur të shpjegojë se si veprohet në raste të tilla.

“Jo, jo, mjeku nuk e proceson. Ai ka qenë një fetus, nuk ka qenë fëmijë, fetus i vdekur. Ka qenë i maceruar që nënkupton që pacienti vdes në bark shumë më herët” – shprehet ajo.

Tutje ish-drejtoresha tha se konsideron se ka qenë një lëshim në pranim-dorëzim në këtë rast, që sipas saj diçka e tillë bëhet nga motra dhe pastruesja.

Për këtë rast ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka folur në një emision në televizionin ATV. Ai ka thënë se e mendon si një rast tragjik që i ka goditur të gjithë.

“Jam interesuar kur kam ardhë në zyrë, më kanë tregu për masat që janë marrë, më kanë treguar se edhe organet e hetuesisë janë duke u marrë me këtë rast dhe një rast tragjik që na ka shokuar të gjithëve” –  ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se do të bashkëpunojnë me sistemin e drejtësisë dhe se do të jetë i interesuar që i gjithë rasti të zbardhet sa më shpejt dhe të identifikohen fajtorët eventualë që kanë qenë të përfshirë në këtë rast.