Vështirësitë e mësimit online në Mitrovicë

Mitrovica vazhdon të mbetet njëra nga komunat më të pa zhvilluara në Kosovë që nga paslufta.

Ky qytet përveç situatës politike të rënduar përballet edhe me varfëri të skajshme e shumë probleme të mëdha sociale.

Pandemia globale me të cilën po përballemi momentalisht e ka gjetur Kosovën të pa përgatitur për tu ballafaquar me këtë luftë.

Pandemia në këtë qytet ka trazuar gjithçka mirëpo, më së shumti ka ndikuar në mbarëvajtjen e mësimit në shkolla fillore dhe të mesme ku për shkak të rasteve pozitive të identifikuara në nxënës e mësimdhënës mësimi është detyruar të ndërpritet fizikisht dhe të kaloj në mënyrë elektronike.

Përmes një video të realizuar me drejtor, mësimdhënës e nxënës të një shkolle në këtë komunë është treguar se si po shkon procesi i mbajtjes së orëve mësimore gjatë kohës pandemike dhe çfarë lloji të skenarit po zbatojnë ata për të mbajtur mësimet.

Duke qenë njëra ndër vendet më të varfra, shkaku i kalimit në mësim online në Mitrovicë kanë mbetur shumë nxënës jashtë rrjedhës mësimore në mungesë të pajisjeve.

Drejtori i një shkolle të Mitrovicës ka thënë se në këtë kohë pandemie të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës kanë disa vështirësi të vogla të cilat sipas tij po mundohen t’i kalojnë me sukses.

“Mësimi online i ka specifikat e veta, me angazhimin e madh të mësimdhënësve nxënëseve dhe me prindër po arrijmë me sukses t’i arrijmë rezultatet e nxënësve. Në shkollën tonë punohet me dy skenarë. Me skenarin A dhe skenarin B”, tha ai duke treguar se ka ankesa teknike sepse nxënësit nuk janë të pajisur me pajisje teknologjike.

“Organizata Save the Children ata na kanë pajis me disa tablet për mësimin online.  Edhe ne si shkollë kemi ofruar kompjuter që të vijohet mësimi online”, shtoi ai.

Edhe një mësimdhënës tha se janë munduar që t’i identifikojnë nxënësit që nuk kanë pajisje teknologjike.

“Kemi marr vendim si këshill i shkollës që pajisjet që i kemi në shkollë te ata nxënës që kanë mungesë elektronike t’i shpërndajmë. Si shkollë i kemi furnizuar me kusht që pas përfundimit të pandemisë t’i kthejnë pajisjet në shkollë”, tha ai.

Edhe një nxënëse ka treguar se mësimi në kohë pandemie është i vështirë pasi sipas saj, kur kanë mësim me profesor të ri, nuk mund ta shprehin pjesën aktive të tyre.

“Përparësitë janë nëse disa nxënës kanë udhëtuar prej vendeve më të largëta është më lehtë me mësimin online”, tha ajo.

Ky aktivitet është  prodhuar me përkrahen e BE. Përmbajtja e kë tij projekti është përgjegjësi e Akademisë jCodes dhe BIRN dhe në asnjë  mënyrë nuk mund të konsiderohet qëndrim i BE-së.