Nxënës të gjimnazit "Zenel Hajdini", në Gjilan

Talentë në gjimnaz, nxënësit nga Gjilani prodhojnë film të shkurtër

Regjia e dramaturgjia janë disa nga fushat e pasionit për disa nxënës gjilanas që përveç mësimeve janë treguar të suksesshëm edhe në prodhimin e filmave.

Në shkurt, një grup nxënësish nga gjimnazi “Zenel Hajdini” në Gjilan, nën mentorimin e profesorëve, e kanë realizuar një film të shkurtër me temë jetën në varfëri që quhet “Një pikë dritë në fund të tunelit”.

Drama e prodhuar nga këta nxënës përcjell jetën e një djali të ri që lindi e u rrit në varfëri. Historia e rrëfyer në këtë film tenton të shfaqë sfidat e mbijetesës dhe rëndësinë e mbajtjes gjallë të shpresës. Gjithashtu rrëfehet për rëndësinë e bamirësisë dhe solidaritetit të njerëzve.

Kasta artistike për këtë film janë nxënësit: Florentina Shala, Leonora Veseli, Elham Rahimi, Fatlindë Krasniqi, Rinesa Halili, Riga Sadiku, Leatris Rudhani dhe dy kameramanët: Gentian Azizi dhe Donat Azizi.

Nxënësit realizuan filmin me mjete vetanake duke përfshirë kamerat dhe produksionin e vetë dy gjimnazistëve Gentian Azizi dhe Donat Azizi.

Filmin mund ta ndiqni më poshtë ndërsa në fund të videos disa prej nxënësve aktorë flasin për eksperiencën e tyre gjatë realizimit të filmit.

 

 

Profesorët dhe udhëheqësia komunale përgëzojnë punën e nxënësve

Puna në fushat artistike nuk është diçka e re për nxënësit nga gjimnazi shoqëror i Gjilanit.

Nxënësit kanë treguar se në vazhdimësi punojnë në projekte artistike në grupin shkollor për dramë.

Filmi i realizuar nga nxënësit u shfaq në ambientet shkollore më 24 shkurt, ndërsa në shfaqje ishin të pranishëm nxënës, profesorë si dhe përfaqësues nga Komuna e Gjilanit.

 

 

Drita Isufi -Ahmeti, profesoreshë e gjuhës shqipe ishte mentore dhe përkrahëse e vazhdueshme në punën artistike të nxënësve.

Ajo për KALLXORinia ka treguar se dramën e kanë të përfshirë në programin mësimor mirëpo bashkëpunimet me nxënësit i bëjnë me shumë dëshirë edhe në aktivitete jashtë shkollore.

“Ne e dimë që profesioni i mësimdhënësit është arti i të shkruarit, arti i të folurit, arti i shkencave, arti i krijimit, arti i frymëzimit mirëpo ky bashkëpunim që e bëjmë me nxënësit më së miri tregon se ata janë nxënësit shembullorë ku kemi një bashkëpunim të madh trekendësh drejtor-mësidhënës-nxënës”,tha ajo.

Krenar me nxënësit është treguar edhe drejtori i gjimnazit “Zenel Hajdini”, Sami Hoxha.

“Por për mua është krenari që nxënësit e gjimnazit kanë prirje për aktivitete të natyrave të ndryshme edhe në aspektin edukativo- arsimor edhe pikat atraktive që nuk mbeten vetëm në shkollë por reflektojnë pozitivisht edhe jashtë shkollës në nivelin e komunës dhe nivelin kombëtar”, tha drejtori Hoxha.

Sami Hoxha, Drejtor i gjimnazit “Zenel Hajdini”, në Gjilan.

Ai shtoi se ka përkrahje të pakursyer për nxënësit me gjithë vështirësitë që mund t’i ketë shkolla.

“Ne kemi nxënës shumë të mirë, mësojnë mirë, kanë edukatë, kanë gjithë të mirat edhe përmes kësaj forme kam llogaritur se prezenca juaj depërton aty ku duhet të jeni në vijën pozitive në zhvillimin e interesit të pergjtihshëm dhe vetëm prezenca e juaj këtu sot tregon rezultatet e pjesëmarrjes në këtë aktivitet”, shtoi Hoxha.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazim Gagica, u zotua po ashtu se do të përkrahë aktivitetet e ndryshme të nxënësve edhe në të ardhdhmen.

“Unë ju përgëzoj për këtë aktivitet që keni zhvilluar në shkolla tona, na keni bërë nder, na keni bërë krenarë padyshim sepse Gjilani nijhet me artin dhe matemtikën. Andaj unë njëherit premtoj dhe garantoj që aktivitetet e tilla, aktivitetet që dalin si inciativë e nxënësve të shkollave tona ne do të gjejmë mundësi edhe ateherë kur mundësitë dhe resurset i kemi të kufizuara… padyshim do të mundohem te jem pjesë e ketyre aktiviteteve”, tha Gagica.

Nazim Gagica, Drejtor i Arsimit në Komunën e Gjilanit

Kërkohet lëndë e veçantë shkollore për teatrin dhe filmin

Megjithë interesin e madh të nxënësve për projekteve artistike, planprogrami mësimor në vend momentalisht nuk ofron lëndë të veçantë dhe ushtrime praktike për teatër dhe film.

Profesori i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në gjimnazin gjuhësor-shoqëror të Gjilanit, Tahir Arifi, ka theksuar mungesat e sistemit arsimor në këtë aspekt.

“Drama në planprogram shkollor planifikohet vetëm në kuptimin e tekstit dramatik, jo edhe në kuptimin e zhvillimit të dramës në kuptimin e konceptit regjisorial apo një skenari që realizohet si shfaqje teatrale. Fakteqësisht në këtë pikë mungojnë përvojat tona teatrore dhe e kemi më të vështirë me e realizu”, tha ai.

Tahir Arifi, Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në gjimnazin “Zenel Hajdini”, në Gjilan

Arifi shpjegon se si e tillë, lënda e gjuhës shqipe nuk mund të përmbushë të gjitha nevojat e nxënësve që kanë prirje në fushën artistike të filmit dhe teatrit.

“Realisht ne e realizojmë si tekst dramatik prandaj del më e zbrazët, del më teorike për nxënësit dhe mund ta kapin vetëm ata që kanë prirje për dramatikën. Ne merremi me tekste dramatike që nga antika greke e deri te tekstet moderne. Por raporti me nxënësit është teorik”, thotë tutje profesori.

Sipas tij, do të ishte mirë që të krijohet një lëndë e veçantë zgjedhore për regjinë e filmit dhe për aktrimin, që do të ligjërohet nga profesionistë të fushës.

Ai ka përmendur faktin se në Gjilan ekziston tradita e teatrit dhe kjo do t’u mundësonte nxënësve me aspirata në këtë fushë që edhe të krijojnë karrierë në fushën e artit.

Profesoresha e Gjuhës Angleze, Saranda Salihu, gjithashtu ka përmendur disa prej vështirësive që thotë se kanë gjatë realizimit të projekteve teatrore në gjimnaz.

“Vështirësi hasim kryesisht të mjetëve konkretizuere, me ato kushte cla i kemi mundohemi me paraqit ngjarje të ndryshme. Shumë shpesh na ndodh që nxënësit të sjellin nga shtëpia inventar”, tha ajo.

Saranda Salihu, Profesoreshë e Gjuhës Angleze në gjimnazin “Zenel Hajdini”, në Gjilan

Gjilani ka 11 shkolla të mesme të larta dhe paralele të ndara dhe ka mbi 5 mijë nxënës në këto shkolla.

Shkolla e mesme përcakton orientimin në karrierë për nxënësit që në këtë kohë  përballen me testin e maturës dhe shkollimin e lartë më pas.

 

Autorja Florentina Shala është nxënëse e klasës XII/10 nga gjimnazi “Zenel Hajdini”, në Gjilan. Artikulli është prodhuar në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, të përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.