Pianistja 20-vjeçare nga Gjakova, Eranda Meka

20 vjet jetë, 15 vjet me tingujt e pianos

Hapat e para në muzikë ajo i filloi qysh në moshën 5-vjeçare duke u regjistruar në instrumentin e pianos në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë. Por sot, 15 vjet më vonë, numri i garave dhe çmimeve të para të fituara brenda dhe jashtë vendit nga 20-vjeçarja Eranda Meka është i madh. 

Si pjesë e garës së muzikantëve të rinj ArsKosova 2018, ajo si 16-vjeçare doli fituese e masterklasit Anacapri (Itali) 2018.

“Shoqërimi i dy prindërve të mi drejt ishullit të Caprit për të marrë mësime dhe për të performuar një koncert në piano ishte një ëndërr që e shikoja me sy hapur”, ka thënë Meka.

Në masterklasin e Anacaprit 2018, ajo doli fituese e titullit: Shqiptarja e parë e interpretimit Jazz.

Një vite më vonë në garat e muzikantëve të rinj ArsKosova 2019. Në disiplinën muzikë dhome ajo e fitoi çmimin e parë.

Për dy vite me radhë, në vitin 2018 dhe 2019, Eranda Meka ka qenë e ftuar të performojë në Festivalin “Chopin Fest”. 

Më 18 prill 2019, ajo ka arritur ta mbajë edhe koncertin e parë recital. Performanca është mbajtur në vendlindjen e saj, në Gjakovë. 

“Atë natë unë e shpalosa të gjithë punën dhe talentin tim në atë skenë. Ky koncert ishte edhe si shenjë respekti për shkollën qe unë kisha kaluar pothuajse gjithe jetën time”, ka thënë Meka.

Meka aktualisht vijon mësimet në vitin e tretë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në drejtimin – Specializim piano tek profesoresha Lejla Pula.

“Për mua është fat të jem në klasën e profesoreshës Lejla Pula ngase ajo është idoli im, një shembull që unë e ndjekja si fëmijë”, tha e reja nga Gjakova.

Edhe në audicionet për universitet në vitin 2019, pianistja e talentuar nga Gjakova kishte arritur të dalë e para në listë dhe të vazhdojë studimet për piano. 

Derisa është në përfundim të studimeve, Eranda Meka ka marrë edhe disa oferta për punë. Për një periudhë ka punuar si mësimdhënëse e pianos në shkollën private të muzikës “Vihuela”. Ndërsa nga shkurti i vitit 2021, ajo ka filluar punën në shkollën provate të muzikës “Yllzat” në Prishtinë, ku është mësimdhënëse e pianos.

E talentuara nga Gjakova ka përfunduar edhe shkollimin fillor edhe të mesëm për muzikë gjithashtu.

Shkollën e mesme ajo e konsideron si ndër periudhat ku ajo ka arritur të shkëlqejë në karrierën e saj premtuese si pianiste. Ajo ka marrë pjesë në koncerte, akademi, festivale gjatë gjithë periudhës sa ka qenë nxënëse e shkollës “Prenk Jakova” në Gjakovë.

“Sukseset e mia bënë që të merrja pjesë në shumë masterklase të pianos si: ESMA- akademi verore që mbahej në Gjakove, aty mora pjesë tri vite radhazi (2016-2019), IPSIA – Akademi verore në Prizren në vitin (2017), POLYHYMNIA – në Shkup – Maqedoni të Veriut (2018), Do Re MI Unë dhe Ti – Festival në Rahovec, ku mora pjesë dy vite radhazi (2018-2019)”, ka treguar ajo.

Të gjitha këto master klase u mbajtën nga pianistë të njohur ndërkombëtarë si: Christoph Declara, Denis Zardi, John Turville, Veronika Koprivica, Derek Han, Desar Sylejmani, Ardita Statovci etj.  

Synimi i Eranda Mekës është që të prekë skenat botërore. 

Autorja Arbenita Krasniqi është nxënëse e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.