Hidhet Aktakuza në Gjyqin për Ekskursionin e Maturantëve

Vokshi e Lleshi akuzoheshin lidhur me përzgjedhjen e kompanisë që do të transportonte dhe akomodonte në Shqipëri maturantët e Gjimnazit “Hajdar Dushi”.

Kryetari i trupit gjykues, Shaqir Zika, tha se duke u bazuar në ankesën e mbrojtësve dhe vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e ka kthyer këtë çështje në rivendosje, e hedh poshtë aktakuzën për dy të akuzuarit.

“Hedhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe pushohet procedura penale ndaj të pandehurës Teuta Vokshi për shkak të veprës penale keqpërdorim I pozitës apo autoritetit zyrtar ngase vepra penale për të cilën akuzohet e akuzuara nuk përbën vepër penale”, tha gjyqtari Zika

Po ashtu, gjyqtari Zika tha se edhe për të akuzuarin e dytë pushon procedura penale.

“Po ashtu pushohet procedura penale ndaj të pandehurit Agron Lleshi  nga Gjakova për shkak të veprës penale, keqpërdorim i besimit nga se vepra penale për të cilën akuzohet I akuzuari nuk përbën vepër penale”, e përfundoi deklarimin e tij kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika.

Sipas aktakuzës që mban datën 16.1.2017, e pandehura Teuta Vokshi si person zyrtar (udhëheqëse e sektorit të arsimit pranë Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjakovë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që duke qenë në komisionin për përzgjedhjen e firmës së autobusëve për ekskursion ka përzgjedhur kompaninë më të shtrenjtë se kompania tjetër konkurruese.

“Me këtë, ajo ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzë.

Duke qenë anëtar i komisionit në tenderin për përzgjedhjen e firmës për transportimin dhe akomodimin e 521 maturantëve, i pandehuri Agron Lleshi akuzohet se nuk i ka përmbushur detyrimet ose ka keqpërdorur autorizimet e tij me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me ç’rast i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm kompanisë që kishte ofruar çmim më të lirë dhe më të mirë.

“Me çka ka kryer veprën penale keqpërdorim i besimit”, thuhet në aktakuzë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor.

http://kallxo.com/aktakuze-kunder-zyrtares-komunale-rreth-tenderit-per-ekskursionin/

http://kallxo.com/deklarojne-pafajesine-te-akuzuarit-per-tenderin-e-ekskursionit/

Më 14 prill 2017, në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua hulumtimi lidhur me dyshimet për një skemë të organizuar të korrupsionit në organizimin e ekskursioneve të maturantëve.

Në këtë hulumtim flitet se si maturantët e Fushë-Kosovës paguan 25 euro më shtrenjtë për ekskursionin në Shqipëri.

Po ashtu, në këtë hulumtim u tregua për dyshimet se tenderin për ekskursionin e maturantëve pejanë po e fiton një kompani që ka lidhje me partinë që e ka pushtetin në Pejë (LDK).