Kryeministri bullgar Ognyan Gerdjikov. Foto: Shërbimi Qeveritar i Shtypit.

Hetimi Zbulon Shkelje me Tenderë në Tri Ministri Bullgare

Ministria e Mbrojtjes, ajo e Zhvillimit Rajonal dhe Agjencia vartëse e saj për Infrastrukturën Rrugore, si dhe Ministria e Bujqësisë, janë që të gjitha nën hetim për shkak të dyshimeve për shkelje, të cilat rëndojnë mbi ish-koalicionin qeveritar të Bojko Borisovit, lajmëroi kryeministri Ognjan Gerdzhikov.

Kontrollet administrative me fokus te prokurimet publike janë urdhëruar nga Qeveria Teknike e Bullgarisë që prej emërimit në janar nga presidenti Rumen Radev.

Gerdjikov shpjegoi se dy javët gjatë të cilave kabineti i tij ka hetuar punën e administratës së mëparshme nuk kanë qenë të mjaftueshme për një analizë të thellë.

Megjithatë ai tha se Qeveria e përkohshme do të vazhdojë kontrollet gjatë kohës së kufizuar të punës derisa të zgjidhet një administratë e re më 26 mars.

“Janë dërguar sinjale te të gjitha institucionet përgjegjëse në mënyrë që të ndërmerren masat pasuese”, tha ai.

Hetimi identifikoi shkelje ligjore apo administrative në 45 nga 85 kontratat e prokurimeve publike të nënshkruar nga Ministria e Mbrojtjes në vitin 2016.

Nëntë nga kontratat e hetuara “kanë tregues të mashtrimit dhe shkeljeve të tjera” dhe i janë dorëzuar prokurorisë, ndërsa të tjerat do të hetohen nga inspektorati financiar i shtetit.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Nikollaj Nencev, ka qenë nën kritika të vazhdueshme që kur kabineti i Borisov dha dorëheqjen në nëntor 2016.

Në nëntor, prokuroria e shtetit ngriti akuza kundër tij për shpërdorim të detyrës gjatë dy prokurime të ndara – për prodhimin e uniformave ushtarake dhe për mirëmbajtjen e motorëve të avionëve luftarakë “MIG-29” të ushtrisë.

Të mërkurën, ministri i ri i Mbrojtjes, Stefan Yanev, njoftoi se të paktën 100 prokurime të kryera nga administrata e mëparshme do t’i dorëzohen Prokurorisë, por raporti i Gerdzhikov tregoi janë vetëm nëntë.

Nençev tha të premten se asgjë nuk do të dalë nga hetimet ndaj tij dhe i quajti ato “rrengje të vjetra dhe të mësuara nga komunistët”.

Ai shtoi se besonte se hetimet e prokurimeve publike të vjetra janë një përpjekje për të hequr vëmendjen e publikut nga çështjet më të rëndësishme, si takimi i NATO-s, që u zhvillua në Bruksel këtë javë.

Probleme të tjera të identifikuara nga hetimi lidhen me tenderët për ndërtimin e autostradave Trakias dhe Hemus, të dhëna nga agjencitë e infrastrukturës rrugore, që sipas Gerdzhikov kanë shkelur parimet e konkurrencës.

Gerdjikov paralajmëroi gjithashtu se vonesat e prokurimeve në Ministrinë e Bujqësisë mund të shkaktojnë humbje të fondeve evropiane.

Ai ka listuar disa ministri ku nuk janë parë parregullsi si ministritë e Financave, Transportit, Energjisë, Rinisë dhe Sporteve, Mjedisit dhe Ujërave, Turizmit dhe të Punës.

Raporti i plotë i hetimit do të publikohet të hënën.