Takimi i Komunitetit të Energjisë. Foto: Kallxo.com

Haradinaj: Transmisionit të Energjisë me Shqipërinë Duhet t’i Gjendet Zgjidhje

Në takimin e 15-të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, kryeministri Ramush Haradinaj bëri thirrje që të gjendet një zgjidhje për linjën e transmisionit të energjisë Kosovë- Shqipëri e cila ka mbetur pezull për shkak të pengesave të Serbisë.

“Kosova si palë kontraktuese është e përkushtuar në zbatimin e vendimeve në kuadër të traktatit të themelimit të komunitetit të energjisë. Linjës 400 kilovoltëshe me Shqipërinë duhet t’i gjendet zgjedhje. Funksionalizimi i tregut rajonal do të sillte përfitime, do të ndikonte edhe në inkuadrimin në tregjet e tjera”, ka theksuar Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj gjithashtu e përmendi se Kosova ka arritur marrëveshje me një investitor privat për termocentralin për të cilin tha se beson që fillon vitin e ardhshëm.

Christofer Jones, zëvendës drejtor i përgjithshëm i Komunitetit të Energjisë, tha se zhvillimet dhe investimet në energji janë shumë të rëndësishme dhe po bëhen moto në BE për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Komuniteti ka energjinë dhe aftësinë të ecë përpara. Tranzicioni i energjisë nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e planetit, rritja e këtyre zhvillimeve është shumë e rëndësishme. 300 miliardë euro investime në vitin 2015 disa herë më shumë se në vitin 2004. Në BE po bëhet moto për krijimin e vendeve të reja të punës. BE është përqendruar në infrastrukturën e termocentraleve dhe burimeve të tjera të energjisë. Presim që viti 2018 të jetë vit vendimtar”, ka thënë Christofer Jones.

Komuniteti i Energjisë është një organizatë ndërkombëtare që mbledh së bashku Bashkimin Europian dhe fqinjët e saj për të krijuar një treg të energjisë Pan-europiane të integruar dhe të qëndrueshëm.

Këshilli Ministror i 15-të i Komunitetit të Energjisë, nën presidencën radhës të Kosovës, ka mbledhur së bashku ministrat përgjegjës për energjinë e të nëntë palëve kontraktuese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe Ukraina) dhe Bashkimi Europian.