Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë ligjëratës në AUK, Foto: ZKM

Haradinaj: Me transformimin e FSK-së Kosova nga një konsumuese e sigurisë kthehet në ofruese të saj

Kosova si një shtet sovran dhe me Kushtetutë ka të drejtë të ketë ushtrinë e vet, ishin fjalët që kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i kishte përfshirë në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Haradinaj tha se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, tregon qartë se Kosova është angazhuar drejtë siç e quajti ai arkitekturës së Sigurisë Kombëtare.

“Ishte një proces, jo një vendim i izoluar. Ky proces transparent e përgatitë Kosovën për rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe i hapë rrugë që të kontribuojë më tej drejt paqes dhe stabilitetit nëpërmjet Operacioneve të Mbajtjes së Paqes”, tha Kryeministri Haradinaj.

Ai tha se nuk është vetëm Kosova që do të përfitoj nga transformimi i FSK-së.

“Jo vetëm Kosova, por edhe rajoni ynë do të përfitojnë nga tranzicioni i FSK-së, pasi zhvillimi i një ushtrie të vogël multietnike dhe profesionale do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ajo shmang mundësinë e ndonjë vakumi të sigurisë në Kosovë dhe kontribuon në përafrimin e vendit tonë me vlerat euroatlantike, lehtëson kalimin e Republikës sonë nga një konsumator i sigurisë tek një ofrues i saj, duke i përfaqësuar dhe mbështetur të gjitha komunitetet e Kosovës, lejon angazhim më të madh dhe bashkëpunim me KFOR-in dhe NATO-n, por edhe forcon ekonominë tonë. Kjo iniciativë do të krijojë 2500 vende të reja pune”, tha Haradinaj.

Në këtë ligjëratë Haradinaj u pyet për çështjen e ndikimit të ushtrisë në dialogun me Serbinë.

“Pikëpamja ime është që Serbia duhet të mendoj për atë çka jemi, jo atë çka nuk jemi. Nëse i bëjmë detyrat e shtëpisë dhe e finalizojmë arkitekturën e Sigurisë së Kosovës, luftojmë korrupsionin, rrisim ekonominë do të fitojmë. Formimi i ushtrisë nëse është aktor, ai faktor veç ka me e rritë besimin e Serbisë për Kosovën, pasi që edhe Serbia ka ushtri, por prap vjen e ulet në tavolinë. Shumë vende që kanë ushtri të forta ulen në tavolinë dhe dialogojnë. Ushtria nuk do të ketë ndikim direkt në dialog”, tha ai.

Kryeministri gjithashtu u pyet edhe për dorëheqjen e pjesëtarëve serb nga FSK.

“Kam takuar vet qytetarë serb si kadetë të rinj. I thërras që të mos pranojnë presionin. Ju lutem mos i lëshoni detyrat e juaja, sepse ka plot serbë që po kërkojnë të bëhen pjesë e FSK-së. Nuk i kemi bërë publike dhe nuk do t’i bëjmë për të mos u bërë target i presioneve. Të dhënat e tyre do t’i ruajmë me kujdesin më të madh”, tha Haradinaj.