Haradinaj kundërshton Thaçin: Kufijtë i luan vetëm lufta

“Kufijtë nuk lëvizen pa luftë”, kjo ishte përgjigja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve dhe bashkimin e Luginës se Preshevës me Kosovën.

Sipas Haradinajt, Kosova kufijtë e saj i ka vendosur me luftë dhe siç thotë ai, vetëm lufta mund t’i ndërroj.

Kryeministri deklaroi se nga dialogu me Serbinë ka mbetur vetëm njohja mes këtyre dy shteteve dhe asgjë më tepër.

“Kufijtë janë vendosë me luftë vetëm lufta mundet me i luajtë. Kush kujton se luhen kufijtë ndryshe, gabim e kanë. Krejt ka janë shqiptarë me qejf i kishim marrë edhe Preshevën, për këtë s’ka dilemë askush besoj. Por kufijtë janë vendos nga lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe ndërhyrja e NATO-s, këta janë kufijtë, janë dhjetëra e mijëra njerëz në tokë për këta kufij. Është bukur imagjinatë e lehtë me mendu që dikush luan me kufij se s’luhet me kufij. Mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur vetëm njohja reciproke, dialogu është për njohje në këta kufij”, theksoi ai.

Për Haradinajn, deklaratat për ndryshimin e kufijve janë vetëm retorikë kthyese e deklaratave nga serbët kur thonë se “Kosova është zemra e Serbisë” e të ngjashme.

Ai thotë se ndryshimi i kufijve i përshtatet vetëm presidentit rus Vladimir Putin, për ta rritur fuqinë e tij.

Por, kryeministri Haradinaj, theksoi se Kosova i përket udhëheqjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj edhe nuk do t’i lëvizë kufijtë.

“Mendoj që ka njëfarë logjike kjo retorikë ku thuhet se Kosova është Serbi, e Serbia është zemra e Kosovës e të tjera. Disa të Kosovës pastaj ia kthejnë Beogradit duke i thanë që edhe Presheva është Kosovë dhe unë kështu po e shoh këtë retorikë të ndërsjellë. Por mos e harroni një gjë dhe nuk është që po e them unë, kufijtë me i lëvizë i interesojnë vetëm Vladimir Putinit, në kontinentin tonë se tjetërkujt nuk i intereson. Ai e ka një rritje të fuqisë nga periudha e fundit kur është shkatërruar BRSS-ja, ne perimetër të kufijve të sotëm ka popullsi ruse në disa vende edhe dëshiron me e shfrytëzu këtë momentum të fuqisë së tij sepse është e përkohshme për me i aneksu disa pjesë, disa territore që e dimë që i ka të afërt. Ne nuk i takojmë hartës së tij, por një botë tjetër që e udhëheq Amerika, ne nuk i përshtatemi lojërave të tij, kufijtë nuk i luajmë. Pra, nuk luhen kufijtë e vendosur me luftë.”, përfundoi kryeministri Haradinaj.