Tingujt e Humbur të Kosovës së Vjetër

 

“Nëse mediumet nuk edukojnë publikun në lidhje me muzikën tradicionale, ky lloj i muzikës do të harrohet,” thotë Liliana Qavolli, këngëtare e muzikës tradicionale shqiptare. 

Qavolli ka emisionin e saj në Radio Kosova, në të cilin promovohen tingujt e çiftelisë, surles dhe tupanit. 

Ajo përballet me një sfidë të madhe. Ditëve të sotme, në radio më shpesh dëgjohen muzika pop dhe rep, qoftë nga skena vendore qoftë nga ajo ndërkombëtare. 

Qavolli beson se duhet bërë më shumë për t’i mbajtur këta tinguj në jetë, në veçanti nga transmetuesi publik – Radio Televizioni i Kosovës. 

“TV Hayat, nga Bosnja, ofron hapësirë specifike për sevdalinka (këngë tradicionale boshnjake), por ne nuk e bëjmë këtë për veprat tona të vjetra artistike,” ankohet Qavolli. 

“Radiot dhe TV lokale shumë rrallë emitojnë muzikë tradicionale,” shton ajo. “Unë fare rrallë i ndiej këngët e mia në radio, e edhe më rrallë në TV.”

E ardhmja digjitale?

Në përpjekje për ta shtuar interesin për tingujt tradicionalë dhe për të promovuar kulturën shqiptare në përgjithësi, organizata joqeveritare Truni ka lansuar në fund të nëntorit një projekt për krijimin e një arkivi të muzikës dhe kulturës shqiptare në internet. 

Me kosto prej 100,000 eurosh, nga të cilat 8,000 janë dhënë nga Ministria e Kulturës, kjo OJQ do të fillojë grumbullimin e këngëve nga janari i vitit të ardhshëm. 

Ky arkiv të përfshijë këngë të vjetra të incizuara në formate të vjetra, të cilat do të merren nga arkivat personale dhe publike, por edhe këngë nga CD-të të cilat nuk mund të gjenden lehtë. 

Muzika do të ofrohet pa pagesë, përmes një web-faqeje të quajtur Gjurmët, sipas rok bendit të viteve të 80-ta, ndërsa radio stacionet dhe televizionet do të inkurajohen që të shfrytëzojnë atë. 

Qavolli beson se ky projekt do të promovojë muzikën tradicionale por nuk është e bindur se ai do të mjaftojë. 

“Unë e kuptoj se pjesa më e madhe e incizimeve të vjetra kurrë nuk janë digjitalizuar dhe se ato nuk ndodhen në arkivat mediale,” thotë ajo. 

“Por, megjithatë ka incizime të mjaftueshme të cilat nuk emitohen nga askush – apo, thënë më mirë, shumë rrallë lëshohen.”

Minire Fetahu, redaktore e programit muzikor në RTK, thotë se tek ta muzika tradicionale në këtë medium zë një orë në ditë dhe se nuk ka gjasa që kjo kohë transmetimi të shënojë rritje, marrë parasysh se skema programore duhet të ofrojë program joshës për shumë shije dhe etnicitete të ndryshme, përkundër dëshirës së saj për të ofruar më shumë. 

“Si televizion publik, RTK duhet të ofrojë kohë dhe programe për komunitetet tjera të Kosovës, kështu që nuk kemi shumë hapësirë për muzikën tonë tradicionale [shqiptare],” sqaron ajo. 

“Por ne emitojmë dy apo tri këngë në programet tona në mëngjes, pasdite dhe në mbrëmje,” shton Fetahu. 

“Ne gjithashtu kemi një program javor njëorësh të quajtur Pa Skenar, por kjo është e pamjaftueshme,” pranon Fetahu. 

Selvete Krasniqi, redaktore e programit muzikor në Radio Kosova, thotë se ata ndajnë nga 15 deri në 25 minuta në ditë për muzikë tradicionale dhe konsideron se kjo mjafton.

“Në radion tonë muzika tradicionale përfaqësohet mjaft mirë,” thotë ajo.

Këngëtarja Antigona Qena, udhëheqëse e programit Pa Skenar, luan hite të vjetra nga radioarkivat. Por, Qena thotë se këngët e vjetra po emitohen tepër rrallë. 

“Është shqetësuese që ende nuk po i marrim incizimet nga arkivat, e edhe kur po i marrim ato shpesh janë në cilësi të dobët,” shtoi Qena. 

Zhdukja e festivaleve

Dy festivale të cilat dikur promovonin muzikën tradicionale tani nuk ekzistojnë më. 

Artistët kujtojnë me ngazëllim Akordet e Kosovës, por ai për herë të fundit është mbajtur në vitin 1995. 

Në qytetin perëndimor të Prizrenit, festivali Zambaku i Prizrenit gjithashtu ishte një sinonim i muzikës tradicionale. 

Organizatorët druajnë se ky festival i mbajtur në vitet 1991, 1998, 1999 dhe 2005 nuk do të mbahet më në rrugët e qytetit nga epoka otomane për shkak të mungesës së parave.

Organizatori Reshat Randobrava thotë se muzika që ata luanin është duke u harruar. 

“Edhe një herë më duhet ta përmendi se shumë prej këtyre këngëve nuk janë të incizuara dhe digjitalizuara, edhe pse kjo nuk është arsye për të qenë e pranishme aq rrallë në media,” thotë ai. 

“Janë të rralla ato këngë tradicionale që i dëgjoj apo shoh në media,” shtoi ai.

Nexhmije Pagarusha, këngëtare e muzikës popullore dhe heroinë e Kosovës, thotë se mediumet mbajnë pjesën më të madhe të fajit për rënien e popullaritetit të muzikës tradicionale. 

“Ndonjëherë mendoj se në media po bëhet njëfarë lloj kompensimi dhe se dikush brenda këtyre mediave po paguhet për ta emituar muzikën që po e shohim e po e dëgjojmë,” thotë ajo. 

Çka fshihet pas emrit?

Gjurmët ishte një bend i muzikës rok nga Kosova i cili përbëhej nga pesë anëtarë dhe ekzistoi mes viteve 1980 dhe 1986. 

Këngëtari i këtij bendi, Migjen Kelmendi, tani është gazetar dhe publicist i njohur sidomos me shtyrjen e tij për njohjen e gegnishtes si formë zyrtare të shqipes. 

Nga janari, Gjurmët do të jetë një arkiv i muzikës, fotografisë, pikturës dhe artit shqiptar në përgjithësi.