Rregullorja për Grada Kritikohet nga Profesorët

Universiteti i Prishtinës ua ka shtruar rrugën profesorëve që të avancohen edhe me punime të publikuara në revista të dyshimta. Këtë e ka bërë nëpërmjet miratimit të një rregulloreje të procedurave vlerësuese për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik. Profesorë të UP-së e kanë kritikuar rregulloren duke i gjetur defekte në përmbajtje.

Universiteti i Prishtinës ka nxjerrë një rregullore të procedurave vlerësuese për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik me të cilën nuk ka evituar mundësinë e ngritjes në grada nëpërmjet punimeve shkencore të dyshimta. 

Në thirrjen më të lartë shkencore sipas rregullores së miratuar nga senati i UP-së më 6 qershor  2014 mund të ngritesh edhe pa pasur asnjë punim në revista me impakt faktor. 

Këtë mundësi e ka krijuar shtojca e dytë e rregullores që titullohet “Formular për aktivitetin hulumtues dhe shkencor” të kandidatëve. (shih formularin)

Sipas shtojcës, kandidatët për thirrje akademike mjafton të kenë punime shkencore me “… recensionim ndërkombëtar…”, por nuk është e domosdoshme që punimet të publikohen në revista ndërkombëtare të njohuar nga Thomson Reuters që konsiderohet matës zyrtar ndërkombëtar i cilësisë së punimeve shkencore.

Miratimit të Rregullores së procedurave vlerësuese  për zgjedhjen dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës i ka paraprirë skandali me publikime në revista të dyshimta ku ish-rektori Gashi dhe profesorë të tjera dyshohen se janë avancuar në thirrje akademike duke përdorur punime të publikuara në revista të dyshimta.

Por kjo rregullore, përmes shtojcës së dytë (kolona A2) lejon mundësinë e avancimin të stafit akademik përmes çfarëdo punimi që ka recension ndërkombëtar. (shih formularin)

Universiteti i Prishtinës nuk ka mekanizëm që të verifikojë cilësinë e revistave ndërkombëtare, pasi që edhe revistat false prezantohen në faqet e tyre të Internetit se kanë recension ndërkombëtar.

Qerim Qerimi, prorektor në UP, thotë se çështja e validitetit të revistave duhet të trajtohet si e ndarë dhe se verifikimi i revistave tash e tutje është përgjegjësi e komisionit që propozon fillimisht kandidatët. 

“Përfundimisht cilësia e revistave ose botimeve mbetet të verifikohet nga komisionet vlerësuese, dhe pastaj nga e gjitha struktura tjetër e vendimmarrjes”, tha Qerimi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai ka përmendur edhe një vendim të senatit të UP-së me të cilin janë emëruar komisione për krijimin e listave të revistave të pranueshme akademike me recension ndërkombëtar. Komisionet sipas vendimit mund të vendosin edhe përcaktim negativ për revistat e dyshimta të cilat nuk do të vlerësoheshin për qëllime të zgjedhjes ose avancimit në thirrje akademike. 

Në formularin për aktivitetet hulumtuese që duhet të plotësohet nga kandidatët për thirrje akademike figuron edhe kolona A1 ku duhet të shënohen hulumtimet e publikuara në revistat e listuara nga “Thomson Reuters”, por këto nuk janë obligative.

Fetah Podvorica është profesor në UP i cili ka një numër të madh punimesh në revista me impakt faktor. Ai është pjesë e komisioneve të revistave të ndryshme që ua bëjnë recensurën punimeve që aplikojnë për publikim. 

Sipas tij rregullorja e njeh vlerën e punimeve me impakt faktor, por nuk e bën obligative për avancimin e kuadrit akademik. Dhe ai këtë e sheh si gabim.

“Rregullorja nuk e adreson këtë çështje në mënyrë eksplicite. Po të përdorej shtojca A1 nuk do të kishim këtë vështirësi “, thotë Podvorica, i cili shton më tej që revistat për t’u avancuar duhet të jenë të njohura ndërkombëtarisht dhe të dëshmohet se janë pjesë në lëmin e fushës ku publikohen. 

Sipas Podvorica është e nevojshme që para hapjes së çdo konkursi të miratohen nga senati i UP-së listat e të gjitha revistave shkencore që njihen ndërkombëtarisht, pasi sipas tij në këtë mënyrë evitohen paqartësitë sa i përket revistave të dyshimta.

Podvorica të cilit sipas “Google Scholar”  deri më tani i janë cituar punime nga autorët tjerë deri në 1897 herë thotë që kjo rregullore nuk e adreson qartë cilësinë e punimeve shkencore.

Qerim Qerim, prorektor për çështje mësimore në UP mosbërjen e obligueshme të revista të mirëfillta për avancim e ka arsyetuar me faktin se kjo nuk kërkohet me statut të universitetit.

“Pika A1 nuk është bërë e obligueshme, sepse aty  janë revistat me impakt dhe këtë nuk e bën të obligueshme as statuti e as ligji. Prandaj s’ka qenë e mundur që kjo të bëhet me një rregullore të Senatit”, ka thënë Qerimi. 

Rregullorja nuk sqaron as atë se cilët kandidatë do të kenë përparësi nëse kanë numër të njejtë të punimeve, ata që kanë punime në revista me impakt faktor, apo ata që kanë punime në revista ndërkombëtare.

“Çështja e përcaktimit të përparësisë së kandidatëve në radhë të parë u takon komisioneve vlerësuese profesionale”, ka thënë Qerimi.

Por sipas tij, në parim, përparësi duhet të ketë revista me faktor ndikimi, ndonëse kjo nuk është e përcaktuar në rregullore.

Fetah Podvorica, këtë çështje e bën diskutabile. Sipas tij kur dy kandidatë janë me numër të njëjtë të punimeve, por njëri i ka të kategorisë A1 dhe tjetri të A2, atëherë sipas tij kjo shkakton konfuzion.

“Komisionet recensuese sipas rregullores aktuale kanë mundësi të shkruajnë raport pozitiv për kandidatin me punime në A2, e që i bie se këtu pëson cilësia. Prandaj është me rëndësi që të kërkohet që për avancim punimet të jenë të gjitha ose shumica të kategorisë A1..”, thotë Podvorica.

Ndërsa për Arben Hajrullahun, profesorin e shkencave politike rregullorja është plotësisht e pavlefshme dhe se sipas tij nuk adresohet çështja e cilësisë së botimeve.

“Ndër të tjera, çështjen  e cilësisë së botimeve rregullorja në fjalë nuk e adreson fare. Kështu mund të pritet që gjendja në fusha të caktuara edhe mund lehtas të degradojë tutje”, thotë Hajrullahu. 

Sipas tij zgjidhja e problemit mund të jetë vetëm nëpërmjet krijimit të në mekanizmi për verifikimin e diplomave dhe thirrjeve akademike. 

Qëndrim Gashi që është profesor i matematikës i cili ka doktoruar në universitetin e Çikagos në ShBA, mendon se rregullorja në vete përmban shumë defekte. 

“Kjo rregullore vetëm e rëndon edhe më tej gjendjen aktuale  në UP, ku nuk ka pasur as kërkim e as dhënie të llogarisë”, ka shtuar ai.

ETIKETA

23 Qershor 2014 - 12:00

Meritë Krasniqi 23/06/2014 - 12:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Rregullorja për Grada Kritikohet nga Profesorët

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend