Poezi dhe Muzikë Si Tërheqje Drejt Orllanit

Tri ditët kur fshati buzë liqenit në Podujevë shndërrohet në vendtakim të poetëve këtë vit do të jenë e mërkura, e enjtja dhe e premtja e mesit të shtatorit. 

“Vitin e parë kur kemi nisur FLO-në kemi pasë moto se festivali e nis verën e festivaleve, por në këtë edicion të 4-rt po e mbyllim”, tha Ragip Luta, organizator i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë në Orllan. 

Këtë vit FLO-ja që nis të mërkurën (11 shtator) do bëjë bashkë në fshatin e Podujevës, autorë e muzikantë vendas e ndërkombëtarë, të cilët do të ndajnë me publikun krijimet e tyre. 

Faik Luta bashkorganizator i festivalit tha se kupton përtesën e audiencës jashtë Podujevës që të shkojnë në Orllan për festival, por ai u rekomandoi prishtinasve që të shkojnë këtë vit në festival, sepse ka një kombinim interesant të poetëve dhe këngëtarëve. 

 “Kemi një listë të pasur të mysafirëve dhe kemi bërë një kombinim interesant me muzikë, me qëllim për të tërhequr audiencë të re”, tha Luta, në një konferencë për media, një ditë para se të nisë festivali. 

Për prishtinasit sipas tij është siguruar edhe autobusi që do t’i dërgojë në fshatin pranë liqenit. 

 “Plus çdo ditë para librarisë ‘Dit’e’Nat’ në orën 18:00 niset autobusi falas në Orllan”, shtoi Luta. 

Sivjet festivali rikthen pas shumë vitesh në skenën e leximit, poetët Xhevahir Spahiu e Ledia Dushi, ndërsa pjesë e programit të FLO-së sivjet janë edhe poetët  shqiptarë Primo Shllaku, Lulzim Haziri, Sokrat Shyti, Eva Hila, Fahredin Shehu, Ndriçim Ademaj, Ervina Halili, Alma Panajoti, Arlind Farizi, Imer Topanica e Çezar Rica. 

Organizatorët thanë se përzgjedhjen e autorëve e kanë bërë vetë ata dhe si qëllim kanë pasur që në festival të sjellin emra jo të njohur por që janë poetë e shkrimtarë të mirë. 

“Ideja është që të kemi një program me poezi dhe poetë e shkrimtarë që nuk shihen në secilin event. Një program me emra të panjohur në poezi dhe atyre që njihen më shumë, duke krijuar kështu një përzierje interesante”, tha Luta. 

Nga Peruja në FLO këtë vit vjen poetja Sofia Buchuck, ndërsa kantautorët dhe poetët nga Britania e Madhe, John Drain dhe Russell Swallow, do të sjellin një kombinim mes folk e blues muzikës dhe poezisë. 

“Russell do të sjellë muzikën folk britanike e cila është një eksperimentim, ndërsa John do të performojë blues muzikë tepër interesante”, tha Luta. 

Natën e parë muzikë do të bëjnë Alban Nimani e Faton Dulaki, ndërsa festivali i Orllanit do të mbyllet në Prishtinë në natën e tretë me një koncert të grupit “Jericho”. 

Sivjet për herë të dytë do të ndahet çmimi “Ramiz Kelmendi”, ndërsa emri i fituesit nuk u bë publik. Vjet këtë çmim e kishte marrë Luan Starova.