Ndihmës mjekja kanadeze Linda Chouinard në Bosnje në vitin 1992. Foto kortezi e Linda Chouinard.

Mjekët kanadezë të luftës rikthim emocional në Bosnje

Punonjësit mjekësor që shërbyen me trupat paqeruajtëse të OKB-së në Bosnjë risjellin në mendje kujtime të dhimbshme të luftës dhe gëzimin teksa shohin paqe ndërsa kthehen aty për t’iu bashkuar një turi me biçikleta të veteranëve kanadezë përmes të gjithë vendit.

“Për mua kjo ishte një mundësi për të bërë diçka të mirë, për të ndihmuar njerëzit e plagosur,” tha Linda Chouinard, duke kujtuar pse ajo u regjistrua në misionin paqeruajtës të OKB-së në Bosnje dhe Hercegovinë në 1992 si ndihmës mjeke.

Por kur mbërriti në një kamp të OKB-së në qytetin Visoko atë vit, Chouinard pyeti veten nëse kjo ishte një ide e mirë, në fund të fundit, kur ajo kuptoi se atje po zhvillohej vërtet një luftë.

Ajo risolli nnë mendje se të sapoardhurit nuk ishin në gjendje të flinin gjatë netëve të tyre të para atje për shkak të zhurmës së betejës.

Një tjetër ndihmës mjek kanadez, Daniel Fortin, i cili ka punuar me Chouinard në kampin e OKB-së në Visoko, pranoi se pati frikë kur dëgjoi të gjitha të shtënat dhe shpërthimet e granatave.

“Por pas dy ditësh i lë të gjitha mënjanë dhe përqendrohesh te puna jote dhe kjo ishte të kujdeseshe për njerëzit,” tha Fortin.

Chouinard punoi në njësinë e kujdesit intensiv gjatë muajit të saj të parë, por ajo gjithashtu iu bashkua një karvani furnizimesh me ndihma në Kiseljak, ku një nga kolegët e saj paqeruajtës të saj të OKB-së vdiq.

“Për mua qershor i vitit 1992 ishte muaji më i vështirë, sepse ne humbëm kolegun tonë, i cili u vra me një raketë hedhëse që mbahet në dorë,” tha Chouinard, duke shpjeguar se si vdekja e tij e bëri të kuptonte se edhe paqeruajtësit e OKB-së nuk ishin të sigurt nga dëmet në luftën e Bosnjës.

Disa vjet pas kthimit në Kanada, Chouinard zbuloi se ajo vuante nga çrregullimi i stresit post-traumatik si rezultat i asaj që kishte përjetuar.

“Simptomat e mia ishin më shumë të ngjashme me ato të depresionit. Në një pikë nuk isha në gjendje të punoja. Humba bashkëshortin, punë, i humba të gjitha,” tha ajo.

Por ajo tha se rikthimi i saj në vend këtë muaj për të marrë pjesë në Battlefield Bike Ride të organizatës Luftëtarët e Plagosur të Kanadasë përmes Bosnjës dhe Kroacisë e ka ndihmuar atë të përballet me kujtimin e vdekjes së kolegut të saj.

“Më është dashur të përballem me këtë për shumë vite të tjera dhe jam shumë e lumtur sepse kthimi im më ka dhënë një mundësi për të parë vendin ku ai u vra. Emri i tij është në tabelën e memorialit. Kjo më ka ndihmuar. Sinqerisht, tani ndihem shumë më mirë,” tha ajo.

Daniel Fortin gjatë rikthimit të tij në Bosnje. Foto: BIRN.

Fortin tha se ai kaloi një muaj në Srebrenicë duke i ofruar mbështetje mjekësore 400 ushtarëve të OKB-së, edhe pse ai pati gjithashtu mundësinë të ndihmonte edhe popullsinë lokale.

“Një fëmijë shkeli një minë toke në Srebrenicë dhe plagosi këmbën. Ne shkuam ta merrnim dhe unë isha në një pozitë për të filluar një ndërhyrje që ndoshta i shpëtoi tij jetën, sepse ishte vërtet pranë vdekjes,” kujton ai.

Ai tha se pjesa më e vështirë e vendosjes së tij aty ishte të shihte fëmijët dhe të moshuarit që vuanin dhe të mos ishte në gjendje t’i ndihmonte ata. Fëmijë që nuk qeshnin apo luanin, por kërkonin ushqim janë disa nga kujtimet e tij më të dhimbshme të atyre ditëve, shtoi ai.

Në tre misionet e tij të fundit në Bosnje, kur ai punoi në një kamp kanadez në Velika Kladusa në vitin 1998, pas përfundimit të luftës, Fortin kaloi më shumë kohë në spital.

“Për mua, misioni i vitit 1998 pati një efekt shërues, sepse pashë fëmijë që shkonin në shkollë me drekën me vete dhe njerëz që i riktheheshin jetëve të tyre normale,” tha ai.

Çiklistë të Battlefield Bike Ride të Luftëtarët e Plagosur të Kanadasë përmes Bosnjes dhe Kroacisë. Foto: BIRN.

Luftëtarët e Plagosur të Kanadasë, një organizatë që synon të nderojë dhe mbështesë anëtarët dhe veteranët e sëmurë dhe të plagosur të forcave të armatosura kanadeze, ka rikthyer 25 persona që shërbyen në Ballkan për t’iu bashkuar “Ride Bike Battlefield”, e cila filloi në Sarajevë fundjavën e kaluar dhe përfundon në Medak në Kroaci më 16 qershor. Shtatëdhjetë e pesë çiklistë kanadezë po i bashkohen gjithashtu këtij udhëtimi.

Trupat kanadeze u vendosën në ish-Jugosllavi për të shërbyer me operacione të ndryshme paqeruajtëse të OKB-së dhe NATO-s në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe Kosovë deri në vitin 2005. Gjithsej 23 kanadezë vdiqën gjatë misioneve të vendit në Ballkan dhe shumë të tjerë u plagosën.

“Ata përjetuan tmerret e konfliktit civil, duke filluar që nga marrja peng, u përdorën si mburoja njerëzore për të parandaluar sulmet ajrore të NATO-s, mblodhën prova për krime lufte, për të siguruar varre masive dhe për të ndihmuar pacientët në spitalet që ishin braktisur,” tha në një deklaratë Luftëtarët e Plagosur të Kanadasë.

Chouinard dhe Fortin mbërritën në Sarajevë disa ditë përpara fillimit të yurit me biçikleta dhe vizituan disa nga vendet ku shërbyen më shumë se 20 vjet më parë.

“Mendova edhe se do të isha e trishtuar, por që të dy jemi shumë të lumtur,” tha Chouinard.

“Për mua kjo është si një dhuratë e jetës dhe është shumë më mirë sesa prisja.”