Ish-shefja antikorrupsion Laura Codruta Kovesi kishte reputacionin si një "yll kontrovers". Foto: Octav Ganea

Liderët e Rumanisë do të rrezikojnë çdo gjë për të ndalur Kovesin

Ideja që ndëshkuesja e partisë në pushtet mund të marrë postin e Kryeprokurores Europiane i tmerron socialdemokratët e Rumanisë dhe kjo është arsyeja pse ata dëshpërueshëm po mundohen ta parandalojnë këtë gjë.

 

Social demokratët në pushtet në Rumani kanë hyrë në një valë furie pasi Laura Codruta Kovesi, ish-kryeprokurorja e rrëzuar e Drejtorisë Kombëtare të Anti-Korrupsionit, u vendos në listën e përzgjedhur për postin e ri ri të shefit të Zyrës Kryeprokurorit Europiane, EPPO.

Kovesi ka shkaktuar zemërim dhe polemika në Rumani pasi ministri i drejtësisë Tudorel Toader kërkoi shkarkimin e saj vitin e kaluar dhe e detyroi presidentin Klaus Iohannis të nënshkruante largimin e saj nga puna.

Kur u njoftua kandidatura e Kovesit për postin e Kryeprokurorit Europian, Toader njoftoi se Rumania nuk do ta mbështeste kandidaturën e saj.

Ai madje akuzoi zyrtarët e BE-së se ishin “të keqinformuar” dhe nuk ishin në dijeni për abuzimet që ajo kishte kryer në Rumani.

Ai i tha gjithashtu Parlamentit Europian se nuk ishte ai që e kishtë shkarkuar Kovesin, por presidenti – që është vetëm teknikisht e saktë. Atij i mungonte pushteti për ta marrë atë vendim.

Pasi kandidatura e Kovesit u mbështet gjerësisht në BE, me Francën dhe Gjermaninë që deklaruan se ata mund të tërhiqnin kandidatët e tyre nga gara, PSD-ja rriti përpjekjet e saj.

Nëpërmjet një prej eurodeputetëve të saj, Emilian Pavel, ajo i dërgoi me email të gjithë eurodeputetëve akuzat në lidhje me Kovesin, me shpresën që të përmbajë mbështetjen që ajo kishte mbledhur.

Emaili pretendonte se ajo do të përdorte të njëjtat metoda të dyshuara abuzive në postin e saj të ri, siç kishte bërë në Rumani.

Drama në vend arriti kulmin të premten e kaluar kur Kovesi u thirr në Departamentin për Hetimin e Veprave Penale në Sistemin Gjyqësor.

Kjo është një agjenci e re qeveritare që merret me korrupsionin në mesin e sistemit gjyqësor dhe konsiderohet gjerësisht si një mjet për të kontrolluar magjistraturën.

Thirrja për t’u paraqitur erdhi në të njëjtën ditë kur Kovesi duhej të nisej për në Bruksel për intervistën e saj.

Kjo ndodhi pas një ankese nga një manjat i medias në arrati dhe ish-deputet, Sebastian Ghita, i cili, pas dënimit të tij për korrupsion, ishte larguar në Serbi dhe ka marrë azil atje.

Në seancën dëgjimore, Kovesi u informua se ishte e dyshuar në një hetim penal për shpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti dhe dëshmi të rreme.

Akuza është se ajo mori një ryshfet nga Ghita në formën e mbulimit të shpenzimeve të transportit për të ekstraduar një biznesmen të dënuar për përvetësim në një rast tjetër, Nicolae Popa, nga Indonezia.

Hetimet fillestare në këtë rast ishin mbyllur dhe organi kryesor që kishte menaxhuar ekstradimin, policia, deklaroi se i kishte mbuluar ajo shpenzimet. Dosja tani po rihapet pasi Ghita ka apelua dënimin e tij që nga Serbia.

Kovesi e quajti hetimin “ndëshkimin politik”. Ajo gjithashtu vuri në dukje me ironi se, “duhet të jetë rastësi që e mora këtë thirrje pikërisht në ditën kur unë duhet të nisem për në Bruksel”.

Ajo shtoi: “Është një përpjekje e qartë për të mos më lejuar të fitoj këtë post për të cilën unë jam e preferuara.”

Grupet e shoqërisë civile në Rumani e kritikuan seancën.

Ndërkohë, Ulrike Haberl-Scëartz, kreu i komisionit që përzgjedh Kryeprokurorin e ri të BE-së, i shkroi ministrit Toader, duke renditur arsyet pse Kovesi ishte në listën e shkurtër.

Mes tyre, mesazhi përmendi “arritjet e saj mbresëlënëse në zyrat që ajo drejtoi”, dhe “kapacitetin e saj për të përballuar presion të konsiderueshëm”.

Ministri rumun nuk iu përgjigj letrës. Por në një deklaratë të mëvonshme, ai i kërkoi qeverisë rumune të miratojë një “Dekret të Jashtëzakonshëm” për përzgjedhjen e Prokurorit të Rumanisë që do të dërgohet në Zyrën e Prokurorisë Publike Europiane.

Përzgjedhja do të bëhej nga një komision që ai drejton dhe ku ai do të zgjedhë anëtarët ose do të miratojë kredencialet e tyre. Votimi përfundimtar do t’i takojë përsëri atij.

Kjo do të vlejë edhe për prokurorët që punojnë nën Kryeprokurorin e Përgjithshëm të BE-së në Rumani.

Hetimi i Kovesit ka dy nuanca sa i përket PSD-së. Nga njëra anë, ekziston një çështje personale. Kjo për arsye se, gjatë kohës që ajo drejtoi Agjencinë Kombëtare të Anti-Korrupsionit, shumë anëtarë të lartë të PSD-së u dënuan për korrupsion.

Kjo përfshin edhe kryetarin e partisë Liviu Dragnea, ndjekja e suksesshme penale e të cilit për mashtrim në zgjedhje përfundimisht e ka penguar atë të bëhet kryeministër.

Për më tepër, njohuritë e detajuara të Kovesit në lidhje me politikën rumune do ta bënin atë akoma më të rrezikshme si Kryeprokurore të BE-së. Anëtarët e saj mund të sillen para një gjykate që është imune ndaj ndikimit politik dhe ku zvarritja dhe ndryshimi i ligjeve të drejtësisë nuk është një opsion.

Por ndëshkimi personal dhe politik nuk është faktori kryesor këtu. PSD-ja nuk do të rrezikonte të antagonizonte BE-në dhe akoma më shumë votuesit rumunë, vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve europiane të majit, për një trillim të tillë.

Përkundrazi, social demokratët shohin një mundësi për të vrarë dy zogj me një gur. Nëse ata mund të dënojnë ikonën e anti-korrupsionit të vendit për shpërdorim detyre, ata shpresojnë të tregojnë se e gjithë lëvizja kundër korrupsionit në vend ishte një mashtrim .

Kjo do të përshtatej më së miri në bisedimet e PSD-së gjatë tre viteve të fundit rreth ekzistencës së një “shteti paralel” armiqësor.

Dhe nëse, pavarësisht nga të gjitha problemet e saj ligjore, ajo fiton postin Kryeprokurorit  Europian, historia që do t’i tregohet elektoratit rumun do të jetë se BE-ja po përdor përsëri standarde të dyfishta dhe e trajton Rumaninë si një vend të klasit të dytë.

Delegjitimizimi i BE-së midis votuesve është një objektiv kyç që mund ta ndihmojë PSD-në të rimarrë disa nga vlerësimet e humbura dhe të re-legjitimojë veten si një forcë patriotike.

Për më tepër, kjo do t’i jepte qeverisë rumune thjesht një arsye më shumë për të shpërfillur çdo kritikë tjetër nga Brukseli për korrupsionin.

Në fund, çdo gjë është e thjeshtë. Liderët e partisë duhet të shmangin burgun duke ndryshuar ligjet e drejtësisë dhe në të njëjtën kohë duhet të ruajnë pushtetin.

Është e qartë se ndërsa partia mund t’i mbijetojë çdo gjëje me të cilën e përball BE-ja, ajo nuk mund t’i mbijetojë votës popullore. Kjo vjen pas dy kandidaturave për president që PSD-ja i humbi, pavarësisht se kishte më shumë pushtet.

Ndërkohë, hetimi dhe sulmet ndaj Kovesit – bazuar në dëshminë e një të arratisuri të dënuar – kanë rikthyer përsëri protestat në Rumani, të cilat nuk kishin qenë më të pranishme në muajt e fundit.

Ky zemërim mund të krijojë një ngarkesë emocionale me një kapacitet për të koaguluar protesta masive që do të tejkalonin çdo gjë që mund të krijojë “Dekreti i Jashtëzakonshëm për Drejtësinë”.

PSD-ja dëshiron ta shmangë këtë, tre muaj përpara zgjedhjeve europiane, që do të jenë një shënjues i rëndësishëm për rezultatin e zgjedhjeve të mëvonshme presidenciale në nëntor ose dhjetor.

Edhe nëse protestat masive mund të shmangen, me siguri do të ketë një reagim në vota, gjë të cilën PSD-ja gjithnjë e në rënie po përpiqet ta shmangë.

Për këtë qëllim, asnjë rrezik nuk është tepër i madh – edhe nëse ai nuk shkakton vënien në zbatim të Nenit 7 kundër Rumanisë – siç kërkoi javën e kaluar Gunther Krichbaum, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Gjerman.

 

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.