AKK

Kryetarët e Komunave 'harrojnë' zotimet për të drejta të barabarta gjinore në pronë

Kryetaret e komunave refuzojnë të tregojnë nëse kanë pronë në emër të përbashkët me gratë e tyre

Në kuadër të projektit për avancimin e të drejtave pronësore, BIRN që nga viti i kaluar është duke e realizuar një hulumtim në lidhje me regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Lidhur me këtë projekt, BIRN-i është duke bërë një hulumtim në lidhje me pronat e zyrtareve të lartë në vendin tonë, gjetjet e të cilit synojnë të japin një pasqyrë të qartë lidhur me gjendjen reale të asaj se si qëndron situata në të vërtetë, ndryshe nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë nga deklaratat publike të zyrtareve të lartë të vendit tonë.

Në kuadër të Udhëzimit Administrativ NR.08/2018, për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, çiftet bashkëshortore që i regjistrojnë pronat për herë të parë lirohen nga pagesa.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzim Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve, është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Ligji për Familjen i Kosovës si pasuri të veçantë të bashkëshortëve parasheh pasurinë e cila i ka takuar bashkëshortit në çastin e lidhjes së martesës e cila do të mbetet pasuri e veçantë e tij.
Pasuria e veçantë është gjithashtu edhe pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së martesës përmes trashëgimit, dhurimit apo ndonjë forme tjetër ligjore të fitimit të pasurisë.

Në bazë të këtij ligji si pasuri e përbashkët e bashkëshortëve konsiderohet pasuria e fituar me punë gjatë vazhdimit të martesës, si edhe të hyrat që rrjedhin nga pasuria e tillë.
Bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët.

Por me ndryshimet e fundit të cilat janë duke u bërë në Ligjin për Familjen, të drejtën pronësore, sendore dhe trashëgiminë, çifteve të reja të cilët po planifikojnë që ta kurorëzojnë lidhjen e tyre me martesë, do t’u krijohet mundësia që paraprakisht para se të hynë në martesë, të mund të mund të lidhin një kontratë paramartesore me anë të së cilës do të mund të vendosin për disa kushte paramartesore në atë se çka do të mbetet si pasuri i e tyre e veçantë e çka si pasuri e përbashkët.

 

12 Vjet në Kërkim të Drejtësisë për Shtëpinë

Ndërsa qëllimi dhe rezultatet e pritura nga respektimi i Udhëzimit Administrativ NR.08/2018, për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshorteve është përmirësimi i pozitës së gruas në shoqëri, rritja e numrit të grave si bashkëpronare në pronën e paluajtshme si dhe vetëdijesimin e gruas dhe shoqërisë për rëndësinë e regjistrimit të së drejtave pronësore në emër të përbashkët.

BIRN dhe Internews Kosova në vazhdimësi kanë paraqitur nevojën për ndryshim dhe harmonizim të legjislacionit aktual që ndikon në të drejtën e grave në pronë, duke qenë pjesë aktive me dhënien e rekomandimeve për projektligjet për trashëgiminë, noterinë dhe procedurën jo kontestimore.

BIRN si organizatë vazhdimisht ka monitoruar rastet gjyqësore të grave që kërkojnë të drejtën në pronë, raste të cilat më pas janë pasqyruar edhe me emisione me qëllim të sensibilizimit të masës për problemet në të cilat hasin gratë për realizimin e të drejtës së tyre në pronë.

 

https://kallxo.com/ligjet-e-mira-nuk-i-ndihmojne-kosoves-ta-adresoje-barazine-gjinore/?fbclid=IwAR3SqG8kibTT1bi0m4uQS_Aks0bd5rufv8En6tSk5O81dE8RShmNWbMb3-s

E në kuadër të kësaj iniciative për sensibilizimin e publikut, gjatë garës për zgjedhjet lokale në emisionin “Jeta në Kosovë” në debatin televiziv “Debatet Zgjedhore 2017”, udhëheqësja e emisionit, Jeta Xharra përgjatë këtyre debateve secilit kandidat për kryetar të komunave të Kosovës ua pati parashtruar pyetjen se a e kanë ata pronën e regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortët e tyre dhe nëse nuk e kanë kur do ta bëjnë një gjë të tillë?

Në atë kohë analiza e të dhënave të mbledhura gjatë këtyre 30 debateve zgjedhore nga përgjigjet e kandidateve për kryetar të komunave kishte rezultuar se 32 prej kandidateve pasurinë nuk e kanë në emër të tyre pasi që është në emër të bashkësisë familjare, 16 prej kandidatëve ishin përgjigjur se e kanë të regjistruar pasurinë si të përbashkët ose kanë pasuri edhe në emër të bashkëshortes.
Dy prej tyre kishin deklaruar se nuk kanë pasuri të tyren dhe rrjedhimisht nuk mund ta regjistrojnë si të përbashkët dhe dy të tjerë kanë deklaruar se pasuria është në emër të fëmijëve të tyre.

 

42 Kandidatë nuk e Kanë Regjistruar Pronën Bashkë me Gratë

Pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ NR.08/2018, Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me institucionet tjera kanë lansuar fushatë promovimi me qëllim të vetëdijesimit si dhe sensibilizimit të publikut rreth këtij Udhëzimi Administrativ.

Lidhur me këtë Udhëzim Administrativ së fundmi kemi dëgjuar shumë deklarata e fushata edhe nga zyrtarë të lartë, e sidomos nga kryetarët e komunave.

Por a është në të vërtetë gjendja reale, ashtu siç ata e pasqyrojnë para medieve dhe publikut?

Shumë kryetarë të komunave janë shprehur të kënaqur me miratimin e këtij udhëzimi administrativ, ata njëherësh janë zotuar në krijimin e strategjive të ndryshme përbrenda komunave të cilat i udhëheqin, në mënyrë që të mundësohet realizimi sa më i lehtë i këtij udhëzimi administrativ.

Por nga hulumtimi i BIRN-it po del se kryetarët e komunave, ndryshe po deklarojnë e ndryshe po veprojnë.

Disa muaj më parë BIRN ka provuar të kontaktojë me po thuajse të gjithë kryetarët e komunave në Republikën e Kosovës, nga të cilët kemi kërkuar të dimë nëse posedojnë ndonjë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Nga përgjigjet që kemi marrë në atë kohë, ka rezultuar se vetëm 4 nga 31 kryetar të komunave, të kontaktuar nga BIRN-i posedojnë pronë në emër të përbashkët me bashkëshortet.

 

Vetëm 4 gra të kryetarëve të komunave kanë pronë

Përkundër përpjekjeve tona të vazhdueshme dhe formave të ndryshme të komunikimit në atë kohë kemi arritur të marrim përgjigje nga vetëm 16 kryetarë të komunave.

 

https://kallxo.com/heshtja-zyrtare-per-regjistrimin-e-prones/

Pasi kanë kaluar tetë muaj nga hera e fundit kur i kemi kontaktuar, BRIN i është drejtuar përsëri kryetareve të komunave, me të njëjtën pyetje, kësaj radhe për të parë nëse kishte ndonjë ndryshim nga deklarimi i tyre i fundit.

Ajo çfarë është e çuditshme është injorimi i kryetarëve të komunave, të cilët si duket kanë vendosur që ta injorojnë pyetjen tonë, thjesht duke mos u përgjigjur.

Përgjigje kemi pranuar vetëm nga komuna e Lipjanit dhe komuna e Suharekës.

Si kryetari i komunës së Lipjanit po ashtu edhe kryetari i komunës së Suharekës kanë deklaruar se momentalisht nuk posedojnë asnjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre pasi që sipas asaj që na janë përgjigjur kanë deklaruar se e gjithë pasuria të cilën e posedojnë është e trashëguar nga bashkësia familjare dhe momentalisht nuk është as ne emrin e tyre.

E hulumtimi ynë ka treguar se hiq më mirë nuk qëndrojnë as drejtorët e drejtorive nëpër këto komuna.

Kjo pasi që nga informacionet që posedojmë, rezulton se nga 330 drejtorë të 31 komunave në Republikën e Kosovës të cilët janë kontaktuar, prej 53 drejtorëve nga të cilët kemi marrë përgjigje, vetëm dy drejtorë të drejtorive posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Pjesë e hulumtimit janë edhe ministra, gjykatës, prokurorë e deputetë të vendit tonë.

 

https://kallxo.com/asnje-gjyqtar-i-gjykates-supreme-nuk-ka-prone-te-perbashket-me-grua/

Lidhur me deklarimet e tyre rreth pronësisë, BIRN do të ju mbajmë të informuar me kohë.