Ilustrim, Foto: REL/Shutterstuck

Komuna e Agim Veliut pritet të blejë 22 laptopë

Komuna e Podujevës pritet të hyjë në pazar për të blerë 22 laptopë për zyrtarët e saj.

Kjo Komunë sot ka bërë hapjen e tenderit për furnizimin me 22 laptopë, për të cilët ka planifikuar t’i shpenzojë 9 mijë euro apo rreth 410 euro për një laptop.

Përveç laptopëve, në kërkesën e Komunës figuron edhe pajisje me çantë për secilin prej laptopëve, si dhe një vit garancion për ta.

Këta laptopë, sipas thirrjes për tender janë për nevoja të Kuvendit Komunal të Podujevës.

Llojet e laptopit të kërkuar nga Komuna janë të tipit HP, ndërsa modeli është 250 G6. Këta laptopë janë të prodhuar në vitin 2014, sipas të dhënave në internet.

Komuna për këtë laptopë ka parashtruar edhe disa kërkesa specifike. Ata kanë kërkuar që laptopët të kenë ram-memorie 4 GB. Ndërsa hard disku 500 GB.

Gazeta Jeta në Kosovë ka biseduar me kryesuesin e Kuvendit Komunal të Podujevës, Fatmir Gashi, i cili e ka konfirmuar se laptopët do të blihen për nevoja të asamblistëve.

“Laptopët janë për 22 asamblistë. Mandati i kaluar i ka kthy laptopët. Ata çka kanë qenë në gjendje të rregullt i kemi marrë, ndërsa pjesa tjetër,  çka nuk kanë qenë në gjendje të rregullt, është shpallë tenderi me propozim dhe vendim të miratuar të Kuvendit për me u furnizu edhe pjesa tjetër e këshilltarëve me laptopë”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë kryesuesi Fatmir Gashi.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj të vitit 2018 për Komunën e Podujevës kishte gjetur se asamblistët e Komunës së Podujevës nuk i kishin kthyer laptopët.

Në raportin e Auditorit për vitin 2017, thuhet se 24 asamblistë të Podujevës nuk i kanë kthyer laptopët të cilët i kishin marrë në legjislaturën e kaluar.

Raporti i auditorit thoshte se vlera e mbetur e këtyre laptopëve pas zhvlerësimit të rregullt ishte 4,444€.

https://kallxo.com/24-asambleistet-e-podujeves-si-kthyen-laptopet/

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar edhe për ish-asamblistët e Komunës së Prizrenit të cilët nuk i kanë kthyer laptopët që i kanë pasur në posedim mandatin e kaluar.

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Në ueb-faqen e Komunës së Podujevës figurojnë 33 asamblistë plus kryesuesi i Kuvendit, në total 34.