Gjetaj: Dëshmia për Vrasjen e Vëllezërve Bytyçi të Trajtohet Seriozisht!

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit e Kosovës, Prenk Gjetaj, ka komentuar rrëfimin e transmetuar mbrëmë në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, të dëshmitarit Ivan Pajiq lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Gjetaj e vlerësoi si të guximshme dëshminë e Pajiqit i cili në cilësinë e dëshmitarit okular ka treguar në detaje si e kishte parë vrasjen e së paku njërit prej vëllezërve Bytyçi.

“Një guxim i veçantë i një dëshmitari duke u bazuar në atë që dëshmitarët kanë mundur të pësojnë, unë e vlerësova si guxim nëse nuk ka ndonjë prapavijë tjetër. Çështja e vëllezërve Bytyçi është çështje e veçantë, po mendoj edhe gjetja e trupave të tyre në Petrovo Sello sigurisht vetëm me një presion të madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës… ndoshta nuk do të ishte dekonspiruar aq lehtë dhe nuk do të ishte hapur ajo varrezë masive aq lehtë”, tha Gjetaj.

Për KALLXO.COM ai po ashtu tha se i ka bërë përshtypje se Pajiq kishte identifikuar një ish-zyrtar të lartë të Policisë së Serbisë si prezent gjatë vrasjes së vëllezërve Bytyçi.

“Ishte indikative ajo që e identifikoi Goranin (Gurin), kjo më ka lënë përshtypje ndërsa ushtarët, zbatuesit e urdhërave, janë të rëndësishëm por kryesorja është që urdhërdhënësi ka qenë aty dhe ka urdhëruar ekzekutimin e viktimave.. duhet ta theksojmë se ata pikërisht në atë varrezë janë gjetë dhe rrjedha logjike është që aty janë ekzekutuar…“Nëse merren me përpunimin e këtyre informatave, në mënyrën më serioze nga kompetentët të vlerësohet në mënyrën më serioze”, tha Gjetaj

Gjetaj deklaroi se shpesh nuk kanë hasur në bashkëpunim serioz dhe me vullnet nga ana e Serbisë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve në përgjithësi.

“Mendoj se pala serbe luan edhe me letrën që në momentet kur ka nevojë për një favor politik ndërkombëtar e çel si Kutinë e Pandorës ose hap diçka dhe çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet peng i politikës. Rasti konkret i vlerësimit, ndriqimit se kush e bëri krimin ndaj vëllezërve Bytyçi dhe 73 viktimave të tjera që janë gjetur në Petrovo Sello duhet të vazhdohet, atë duhet ta vazhdojë presioni ndërkombëtar për ta detyruar palën serbe”, tha Gjetaj.

Ivan Pajiq ka rrëfyer ekskluzivisht për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ se si kishte parë të qëllohet një nga vëllezërit “Bytyçi” dhe ai thotë se kjo ndodhi në prani të Goran Radosavljeviq me nofkën ‘ Guri’, ish-kolonel i forcave speciale të Policisë së Serbisë.

Ai tregoi se më 9 korrik të vitit 1999 në qendrën e trajnimeve të Xhandarmërisë serbe në Petrovo Sello kishte parë tre civilë dhe tre ushtarë dhe më pas ishte larguar kur njëri nga ushtarët kishte shtënë me armë në njërin civil.

Gjetaj tha se Bajiq e kishte kontaktuar edhe atë, kur i’a kishin burgosur babanë dhe ky e kishte këshilluar që ti drejtohet Prokurorisë së Serbisë për krime lufte meqë sipas tij ajo është më kompetentja.

http://kallxo.com/gjnk/vrasja-e-vellezerve-bytyci-ne-syte-e-deshmitarit-serb/

02 Shkurt 2018 - 18:05

Doruntina Baliu 02/02/2018 - 18:05
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend